Debati i ashpër ndërmjet islamistëve të moderuar dhe atyre më konservatorë për Kushtetutën
e re egjiptiane, e nxiti Universitetin mysliman të al-Azharit, qendër e njohur e islamizmit
në të gjithë botën, të propozojë një nen të veçantë për mbrojtjen e të krishterëve
nga zbatimi i mundshëm i sharisë. Çështja ka të bëjë me nenin e 2-të të dokumentit,
i cili thotë: “Islami është feja e shtetit, arabishtja është gjuha zyrtare e vendit
dhe parimet e Sharisë islamike janë burimi kryesor i së drejtës”. Disa anëtarë të
Asamblesë Kushtetuese duan të shtojnë edhe këtë frazë: “Të krishterët dhe hebrenjtë
duhet t’u nënshtrohen ligjeve të feve të tyre”. Sipas këshilltarit të Imamit të
Madh, delegat i al-Azharit në Asamble, teksti nuk është i qartë, sidomos nuk kuptohet
cilave parime të sharisë u referohet. Shtesa për të krishterët dhe hebrenjtë është
edhe më e errët. Sipas Mohammed Abdel Salam, duhet shkruar një nen i ri, që i deklaron
të krishterët jashtë detyrimit për t’iu bindur sharisë. Egjipti i pas Mubarakut akoma
po diskuton mbi tema, që kanë të bëjnë me fenë, duke lënë mënjanë të drejtat civile,
kërkuar nga shumë manifestues në sheshin Tahrir. Koncepte si “qytetar”, “njeri”, “shtet
laik” janë akoma jashtë debatit publik.