6. Koncili i parë Kostandinopolitan (381 pas Krishtit) Pasi folëm për Koncilin
e Jeruzalemit, mbledhur rreth viteve 40, e atë të Nikesë, më 325, sot do të ndalemi
tek Koncili i parë i Kostandinopojës, mbajtur në vitin 381. Pas Koncilit të Nikesë,
herezia ariane, sipas së cilës Jezusi i Nazaretit ishte vetëm njeri, i bijësuar më
pas nga Hyji Atë, vijonte të bënte zhurmë e ndjekës. Vetë perandori Kostandin, pas
Koncilit të Nikesë, kishte kaluar në krahun tjetër e kishte nisur të përkrahte ipeshkvijtë
arianë. Prandaj Teodosi Perandor, që u ul në fron në vitin 379, thirri një mbledhje
solemne, të cilën nuk e kryesoi ai vetë. E kryesuan ipeshkvi Melecio i Antiokisë,
kishë e themeluar nga Pjetri; Gregori nga Nacianci dhe Nektari. Mbledhja e madhe
nisi në maj të vitit 381, në praninë 150 ipeshkvijve, të gjithë lindorë. Në Romë ishte
Papa Damazi I, me autoritet të padiskutueshëm. Një vit më parë, vetë Teodosi Perandor,
me ediktin Cunctos Populus, kishte ripohuar solemnisht se kanuni, domethënë “rregulla”
e fesë, parë si masë përkatësie në gjirin e Kishës katolike, ishte “Feja e Pjetrit”. Vendimi
i parë i Koncilit të ri, ishte ripohimi i Besojmës së Nikesë, domethënë i natyrës
hyjnore të Krishtit, kundër herezisë ariane. Përmendej qartë edhe Shpirti Shenjt,
duke pasur parasysh se në bashkësitë e krishtera tani ishin dukur Pneumatomakët, që
nuk e pranonin natyrën hyjnore të Shpirtit Shenjt. Njiheshin edhe si ‘maqedonianë’,
sipas emrit të ipeshkvit Maqedonio të Kostandinopojës. U riformulua Besojma nikeno-kostandinopolitane
e fesë, që pohon natyrën hyjnore të Atit, të Birit të amshuar, mishëruar në Jezusin
e Nazaretit dhe të Shpirtit Shenjt. Risi kjo? Jo! Shkrimi i parë i Besëlidhjes
së Re, Letra e parë e Shën Palit drejtuar Selanikasve, shkruar ndërmjet viteve 40-50,
fillon pikërisht duke kujtuar Atin, Jezu Krishtin, Birin e Tij dhe Shpirtin Shenjt. Koncili
dënoi edhe herezinë apolinariste, nga emri i ipeshkvit Apolinari që, duke e kthyer
përmbys herezinë ariane, pohonte se Jezusi i Nazaretit, Zot i vërtetë, ishte njeri
vetëm në formë të papërkryer, pa shpirt të vërtetë njerëzor, sepse me shpirt hyjnor.
Përveç rregullave doktrinore, Koncili vuri rregull edhe në jetën praktike të Kishës
së kohës. Përcaktoi provincat kishtare, të pavaruara nga njëra-tjetra dhe deklaroi
se Kostandinopoja ishte Roma e dytë, se ipeshkvi i saj ishte patrik e se ishte i dyti,
menjëherë pas atij të Romës. Në përfundim të Koncilit u shpall edhe një dekret
perandorak, me të cilin Teodosi u kërkoi të gjitha Kishave t’i rikthenin në mision
ipeshkvijtë e dëbuar nga arianët, nga që kishin pohuar se Ati, Biri e Shpirti Shenjt
kishin të njëjtën natyrë hyjnore. Duhet kujtuar se Papa Damazi, nga Roma, i miratoi
dekretet e Koncilit. Prej këndej, u zgjidhën dy probleme: u pohua se Jezu Krishti
është Zot i vërtetë e njeri i vërtetë e se të trija Vetjet e Trinisë Shenjte janë
me të njëjtën natyrë hyjnore. Më pas do të diskutohej për shkrirjen e dy natyrave,
hyjnore-njerëzore, në Vetjen e Krishtit. E pikërisht kjo do të ishte tema e Koncilit
të ardhshëm, mbajtur në Kalçedoni, në vitin 451, që nisi duke pranuar formalisht karakterin
ekumenik të Koncilit I të Kostandinopojës, thirrur nga Teodosi e miratuar nga Damazi
I papë e ipeshkëv i Romës.