2012-07-23 15:49:32

Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: “Djalli mbjell luftë; Zoti krijon paqe”.


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Kastel Gandolfo, në reflektimin e para lutjes mariane të mesditës, Papa Benedikti XVI foli për paqen, frymëzuar nga liturgjia e djeshme, duke kujtuar se “Zoti është Bariu i njerëzimit”; se “dëshiron që ne ta kemi jetën”, se i do të gjitha gjërat, që do çdo gjë që mëmë e çdo atë që duan për bijtë e vet: mirësi, lumturi, realizim ëndrrash e dëshirash. E në se në Ungjillin e djeshëm Jezusi paraqitej si bariu i deleve të humbura, ndërmjet tyre, kujtoi Papa, ishte edhe Maria nga Magdala, festa e së cilës kremtohej më 22 korrik nga Kisha katolike. Maria është një nga figurat më të ndritura që ndeshim në faqet e Ungjillit; mëkatarja, që e provoi në shpirtin e vet forcën shëruese të Krishtit; gruaja, që gjeti paqen pranë Jezusit; e para, që e pa të ngjallur Zotin e saj, të cilin kishte shkuar ta qante, një ditë pas vdekjes. Është njeriu i parë, që pa mrekullinë e pashembullt të të ngjallurit. Benedikti XVI shpjegoi, përmes kësaj figure, si mund të shërohet shpirti i sëmurë, si mund të gjejë paqen, njeriu i përhumbur në shtigjet e ngatërruara të jetës. Në Zotin, shpjegoi Papa, njeriu:
“Gjen paqen e vërtetë, të plotë, fryt i pajtimit në vetvete e në të gjitha lidhjet e tij: me Zotin, me të tjerët, me botën. Në të vërtetë, djalli i mallkuar bën çmos ta rrënojë veprën e Zotit, duke mbjell përçarje në zemrën njerëzore, ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet njeriut e Zotit, në marrëdhëniet ndërpersonale, shoqërore, ndërkombëtare, e edhe ndërmjet njeriut e gjithësisë. Djalli mbjell luftë; Zoti krijon paqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.