2012-07-22 15:57:33

Siria në flakë. Dëshmia e murgeshes saleziane nga Damasku


Bashkësia ndërkombëtare, e paaftë të zgjidhë krizën në Siri, ku vazhdojnë luftimet. Vendi tashmë është në flakë prej ditësh e viktimat civile janë shtuar, duke arritur pikun më të lartë nga fillimi i konfliktit, pikërisht javën e kaluar, ditën e enjte, në Damask. Ndërkaq, Rusia dhe Kina vunë veton kundër një rezolute të OKB-së, që sipas tyre, do t’i hapte rrugën ndërhyrjes nga jashtë. Vetëm ditët e fundit, nga Siria janë larguar për në Liban, mëse 30 mijë vetë. E pikërisht prej njërës nga lagjet në flakë të Damaskut, arrin dëshmia e motër Marçelës, rregulltare e salezianeve të Zojës Ndihmëtare, që drejtojnë të vetmin spital privat të qytetit e vijojnë, pavarësisht nga krismat e flakët, apostullimin e shërbimin:
Përgjigje: - Jetojmë në një situatë shpërthyese: nganjëherë arrijnë lajme, që na tmerrojnë, herë tjetër thonë ‘Jo, jo! Mos u trembni, e keqja e madhe kaloi”. Jeta jonë është plot me krisma bombash, që dje e sot janë bërë më të shpeshta. Morëm edhe lajmin se ambasada italiane ka dhënë urdhër për largimin e gjithë bashkatdhetarëve: nuk e di sa është e vërtetë. Sidoqoftë, këtij urdhëri mund t’i binden të gjithë, veç rregulltareve. Ne përgatitemi edhe për martirizim, ndonëse bashkëjetesa ndërmjet nesh e tyre ka qenë gjithnjë e mrekullueshme. Kanë pasur për ne nderim të madh. Salezianët, përkrah nesh, organizojnë oratorin me fëmijët ortodoksë, irakianë, me refugjatët, ditë për ditë. Jeta është bërë tepër e shtrenjtë e njerëzit e varfër rrezikohen edhe për ato dy kacidhe të shkreta, që u duhen për të mbajtur frymën gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.