2012-07-22 20:36:51

Kosova tronditët thellë nga vdekja e poetit Ali Podrimja


RealAudioMP3 Vdekja e parakohshme e poetit gjakovar, në qytetin francez Lodeve, ku merrte pjesë në festivalin e poezisë “Voice of the Mediterranean”, ka tronditur thellë Kosovën e botën shqiptare. Gjurmët e poetit Ali Podrimja qenë zhdukur që nga mbrëmja e 18 korrikut, derisa trupi i tij u gjet i pajetë të shtunën më 21 korrik nga policia franceze, në një zonë malore, 4 kilometra larg Lodeve.
Në trupin e pajetë të poetit kosovar nuk janë vërejtur shenja dhune, e tani pas kryerjes së procedurave mjekësore ligjore nga ana e autoriteteve franceze, trupi i pajetë i Ali Podrimjes përgatitet për t’u kthyer në atdhe.
Vdekja e këtij poeti unik kosovar, plot pasion artistik e atdhedashuri, është humbje e madhe për familjen, për lexuesit që e çmuan dhe e donin, për të gjitha institucionet kosovare, për kulturën e letërsinë shqiptare.
Siç nënvizoi Akademia e Shkencave të Kosovës, poezia e poetit Podrimja “për më shumë se gjysmë shekulli ishte zëri identifikues i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës , idealet dhe synimet e saj”.
Krijimtaria e tij ishte poezi kushtuar dhimbjes, dashurisë, lirisë, së bukurës, plot ide e ideale, me porosi historike për jetën dhe fatet e Vendit, pohon prifti kosovar don Lush Gjergji.
Ndarja nga kjo jetë e poetit Ali Podrimja është humbje për të gjithë shqiptarët, e posaçërisht për botën letrare e artistike. Ai konsiderohej nderi i Kosovës, e me të drejtë, pse Ali Podrimja si pak kush e ka njohur e shpreh dhimbjen e Popullit të vet, dashurinë e qëndresën për liri, mirësinë dhe forcën e shpirtit.
Poezitë e tij janë një himn kushtuar lirisë e dinjitetit njerëzor, dashurisë e vuajtjes së popullit të tij të dashur. Shkroi për kohët e vështira të vuajtjes gjatë kalvarit që përjetoi Kosova, shkroi për kurorëzimin e Lirisë që arriti Shteti vet, shkroi për kombin e dashur shqiptar. Një nga poetët shqiptarë më të shquar, Ali Podrimja jetoi pas poezisë dhe ndërroi jetës pas poezisë. Ishte e mbetët poeti i gjithë shqiptarëve.
Po kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij. “Thirrje”; “Dhimbë e bukur”, “Folja”, “Kredo”, “Drjetpeshimi”, “Lum lumi” e tjera.
Mbi figurën e poetit Ali Podrimja e peshën e tij për Kosovë, në mikrofonin e Radio Vatikanit flasim me Vikarin e Përgjithshëm të Kishës katolike të Kosovës, dom Lush Gjergjin......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.