Kisha katolike e Kosovës ngushëllon familjen e poetit Ali Podrimja
E nderuara familje e Ali Podrimës, miq dhe dashamirë,
Me dhembje pranuam
lajmin e hidhët për vdekjen e papritur, kalimin në amshim, të poetit tonë të madh,
Ali Podrimja, i cili me dekada ishte krijues dhe përfaqësues i denjë i Kosovës dhe
Shqiptarëve ndër ne dhe në botë. Poezia dhe krijimtaria e tij kulmore nuk ishte
vetëm e bukur, por kishte shumë ide, ideale e porosi historike dhe aktuale, si Mendimtar
e Frymëzues i mirëfilltë për të tashmen e për ardhmërinë tonë më të mirë dhe të lirë.. Në
emër të Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkvisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet e sinqerta
dhe vëllazërore, të përcjell me shpresë dhe uratë, nderim dhe falënderim.