2012-07-22 15:56:10

Bilanci i Kongresit Eukaristik të Dublinit, një muaj pas përfundimit


Numra të rëndësishëm, ata që karakterizojnë Kongresin e 50-të Eukaristik ndërkombëtar, që u zhvillua në Dublin të Irlandës nga data 10 deri më 17 qershor. Një muaj pas përfundimit, drejtoresha e përgjithshme e organizimit të tij, Anne Griffin, sqaron për agjensinë kishtare Sir se bilanci është mëse pozitiv. Në kongres, përgatitjet e të cilit filluan para tre vjetësh, janë regjistruar 95 mijë vetë, të cilëve u duhen shtuar edhe miliona dëgjues e shikues, që e ndoqën përmes radios, televizionit e internetit. Gjithashtu, mijëra të tjerë erdhën në Dublin të paregjistruar e shumë të tjerë akoma, morën pjesë në takimet e ndryshme, organizuar nga famullitë në vende jashtë kryeqytetit irlandez. Faqja e internetit e kongresit, gjatë ditëve të zhvillimit të tij, ka pasur 2.500.000 vizitorë, të cilët konsultuan 150 faqet e përgatitura në shtatë gjuhë të ndryshme. 9 ishin blogerët, që treguan ditë për ditë ç’ndodhte në kongres, shprehën opinione e shkruan reflektime e anekdota të llojllojshme. Edhe tani, në këtë faqe , mund të shihen imazhe, të ndiqen video-intervistat e çastet e veçanta, të filmuara gjatë Kongresit.







All the contents on this site are copyrighted ©.