2012-07-20 10:59:07

Ipeshkvinjtë evropianë për konfliktin në Siri: lufta është rrugë pa dalje, të kthehet dialogu


“Lufta është rrugë pa dalje”: kështu pohohet në një deklaratë të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Ccee) për konfliktin në Siri. Në tekstin e nënshkruar nga kryetari dhe zv.kryetari i Këshillit, pra, nga kardinalët Peter Erdë dhe Anxhelo Banjasko, urohet që “autoritetet e vendit, popullsia e të gjithë besimtarët, të çfarëdolloj feje” të gjejnë, me ndihmën e Zotit, “udhën për ndalimin e konfliktit, për dorëzimin e armëve e për fillimin e dialogut”. Lufta mund të sjellë vetëm zi, shkatërrime dhe pasoja të rënda për sirianët, shkruajnë ipeshkvijtë. Lumturia arrihet me përpjekjen e të gjithëve e jo me sundimin e njërës palë mbi tjetrën. Në fund, ipeshkvijtë katolikë u kërkojnë të gjithë të krishterëve të Evropës të luten për paqen e pajtimin në rajon. Nuk është kurrë vonë, theksojnë ata, për ta kuptuar njëri-tjetrin, për t’u ulur në tryezën e bisedimeve e për të ndërtuar së bashku të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.