Do të dorëzohet gjatë takimit të ardhshëm sinodal “Çmimi Ratcinger” për teologjinë,
që ka arritur në edicionin e tij të dytë. Paraditen e 20 tetorit, vetë Ati i Shenjtë
Benedikti XVI do të nderojë dy studiues të shquar. Në këtë ditë Fondacioni vatikanas
“Jozef Ratcinger-Benedikti XVI”, shpjegon kryetari, imzot Giuseppe Antonio Scotti,
dëshiron t’i falënderojë thjeshtësisht e konkretisht, ata që, në errësirën e kohës
së sotme, përpiqen me të gjitha forcat të rrezatojnë në botë dritën e së vërtetës,
në bashkim të plotë me Atin e Shenjtë.Edhe për këtë arsye, për dorëzimin e këtij çimimi,
që mund ta quajmë simbolikisht “Nobel për Teologjinë” u caktua data 20, një nga ditët
kulmore të punimeve të Asamblesë XIII të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar
“Ungjillëzimit të ri për transmetimin e fesë së krishterë”, që do të fillojë më 7
e do të përfundojë më 28 të të njëjtit muaj. Dorëzimi i çmimit Ratcinger këtyre
studiuesve, që dallohen për merita të veçanta në veprimtarinë botuese ose kërkimore-shkencore,
është pjesë përbërëse e objektivave të Fondacionit, ndërmjet të cilave figuron edhe
organizimi i takimeve të rëndësishme studimore.Vitin e kaluar, më 30 qershor, Papa
pati vlerësuar me këtë Çmim, Manlio Simonetti-n, Olegario Gonzalez de Cardedal e Maximilian
Heim. Falë punës së komitetit shkencor, kryesuar nga kardinali Camillo Ruini, në të
cilin bëjnë pjesë edhe kardinajtë Tarçizio Bertone e Angelo Amato si dhe kryeipeshkvijtë
Luis Francisco Ladaria Ferrer e Jean-Louis Bruguès, u vu në qendër të vëmendjes së
bashkësisë shkencore ndërkombëtare kontributi i laikut italian, që njihet si një nga
autoritetet më të larta në fushën e studimeve mbi krishterimin e lashtë; i meshtarit
spanjoll, që themeloi (e drejtoi nga 1998 deri më 2008) Shkollën e Teologjisë ‘Karl
Rahner-Hans Urs von Balthasar’ dhe i cistercensit gjerman, abatit të manastirit të
Heiligenkreus në Austri