2012-07-19 18:23:44

T’i jepet fund masakrimit të të krishterëve në Afrikë!


Tashmë çdo të dielë Kishat afrikane, në Nigeri e në Kenia, por jo vetëm këtu, kthehen në teatër të një tragjedie pa fund. Vijon çdo fundjave masakrimi i të krishterëve, që, megjithatë, mblidhen për t’u lutur e për t’u ushqyer me Eukaristinë në këtë situatë të muzgët, të cilën vetëm prania e Zotit, e solidariteti ndërkombëtar, mund t’i ndihmojnë ta përballojnë.
Pikërisht nën shenjën e solidarittit, u mbajt sot pranë Selisë së Shoqatës së shtypit të huaj në Romë, konferenca me temë: ‘T’i jepet fund masakrës së të krishterëve në Nigeri”. Në praninë e autoriteteve të larta politike e fetare, u fol për mbrojtjen e pakicave dhe të lirisë së fesë, në të gjitha format e saj.Nisma është e Vëzhguesit për lirinë fetare pranë Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme, themeluar më 2011, pas valës së atentateve në Lindjen e Mesme kundër bashkësive të krishtera, me objektiv për të krijuar, së bashku me Përfaqësinë italiane pranë Selisë së Shenjtë, një organ, që t’i kushtohet në mënyrë të posaçme, mbrojtjes së pakicave fetare dhe promovimit të dialogut e të tolerancës, me vetëdijen se bota e shikon Romën, seli e bazilikës më të madhe të krishterimit, e xhamisë më të madhe të Evropës dhe e bashkësisë më të lashtë hebraike në botë, që këtu ka edhe sinagogën e vet, si shembull dialogu ndërmjet konfesioneve fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.