Si sot, 9 vjet më parë, Radio Maria e filloi rrugëtimin e vet në popullin shqiptar.
E sot familja shqiptare radiofonike e Radio Marisë ishte në festë. Gëzimit të familjes
së Radio Marisë shqiptare, në këtë përvjetor të rëndësishëm e të bukur të misionit
ungjillëzues në viset shqiptare, duke u nis nga drejtori, dom Prenk Lazri, redaktorët,
teknikët e të gjithë bashkëpunëtorët tjerë, i bashkohet edhe Redaksia e Programit
Shqip të Radio Vatikanit. Urime e përgëzime vëllazërore për misionin e çmueshëm
që bëni çdo ditë në vreshtin e Zotit që gjendet në trevat shqiptare.
Ja
si e paraqiti ditën e 9-të vjetorit në faqe të internetit Radio Maria:
Në datën
19 korrik, nga Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër, duam që ta falënderojmë Hyjin
pikërisht për Radio Marinë dhe për të gjithë ju që keni marrë pjesë në zhvillimin
dhe rritjen e saj ditë pas dite e vit pas viti. E nisëm këtë vepër me një studio transmetimi
në Shkodër, ndërsa tani i kemi edhe 4 studio të tjera në Tiranë, Gjakovë (KS), Detroit
(SHBA) e Lezhë. Gjithashtu mbërrijmë shumë zemra dëgjuesish edhe përmes dëgjimit të
radios në internet. Kjo mrekulli e thjeshtë teknologjike, e vendosur nën mbrojtjen
Zojës së Këshillit të Mirë dhe ia besuar ndërmjetësimit të së Lumes Nënë Tereza dhe
të Martirëve shqiptarë, bën që të shpallet dhe të rritet Mbretëria e Qiellit. E ju,
të dashur bamirës dhe dëgjues të Radio Marisë, jeni ndihmës dhe dëshmitarë të kësaj
vepre. Programi i festës është si më poshtë vijon: 09:00 - 09:55 -
Adhurimi Eukaristik dhe lutja e Rruzares së shenjtë me të pranishmit, që udhëhiqet
nga Don Prekë Lazraj. 10:00 - 10:05 - Përshëndetja dhe falënderimi nga presidentja
e Shoqatës Radio Maria, znj. File Preka. 10:05 - 11:30 - Mesha e Shenjtë, në Katedralen
e Shkodrës. 11:30 - Një çast i bashkëndarjes më miqtë e Radio Marisë. Mundësi
takimi me të gjithë të pranishmit në festën e Radio Marisë në Shkodër. Të gjithë
pjesëmarrësit në festë do të mund të gjejnë për blerje libra të shumtë shpirtërorë,
kryesisht botime të Radio Marisë, te tavolinat e vendosura para ndërtesës së radios.
Ndër titujt e ndryshëm, të cilët jua këshillojmë për t’u ushqyer me Fjalën e Zotit
dhe për ta rritur fenë tuaj, mund të përmendim këto botime: Bibla, Breviari, Lulet
e shpirtit, Një ekzorcist tregon, Gëzimi i takimit, Gjaku i Hyjit, Jetë me Nënë Terezën,
Lutjesore, Mëshira Hyjnore, Bisedoj me vëllezërit e mi, Ferri ekziston, Rruzarja e
lirimit, Pali i Tarsit, etj.
Letra e drejtorit të Radio Marisë, dom Prenk
Lazrit
Të dashur miq e bamirës, Nëntë vjet më parë, Radio Maria
e filloi rrugëtimin e vet në popullin shqiptar. Këto ishin vite të hirit dhe të bekimit,
me të cilat vetë Zoti na përcolli të gjithëve së bashku për ta çuar përpara këtë vepër,
edhe pse me vështirësi shumë të mëdha por edhe me gëzim të jashtëzakonshëm që Zoti
na ka dhënë si ngushëllim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre nëntë vjetëve. Të gjithë
së bashku morëm pjesë në të, secili me dhuratën që kishte: dikush me punën vullnetare,
dikush me përhapje të lajmit për ta dëgjuar porosinë që Radio Maria e transmetonte
në vazhdimësi, dikush duke u bërë bamirës i rregullt i Radio Marisë, dikush duke i
ofruar Hyjit vuajtjen dhe lutjen, dikush duke ofruar emisionet e veta, dikush duke
paraqitur gatishmërinë për të plotësuar kërkesat e ndryshme që Radio Maria të funksionojë
ashtu siç Hyji e ka përcaktuar misionin që ajo ka për ta kryer. Të dashur miq,
secili bëri të mundurën e shumë herë mund të themi edhe të pamundurën që vepra hyjnore
të arrinte sa më shumë zemra. Filluam me një frekuencë në Shkodër dhe brenda një viti
me frekuenca të reja mbuluam më shumë se 70% të popullsisë shqiptare. Vetë Hyji ishte
në vepër. Puna dhe angazhimi ynë ishte krejtësisht i vogël në krahasim me hirin
dhe bekimin e madh që Zoti i dhuroi për dashurinë e madhe që e ka për popullin e vet.
Nëse dëshirojmë ta zbërthejmë këtë dashuri të madhe që e tregoi Hyji, atëherë duhet
të hyjmë në mjedisin e dashurisë amnore që Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve
e ka për bijtë dhe bijat e veta. Na duhet të ndalemi në misterin që Hyji ia zbuloi
botës në bijën e popullit shqiptar, Nënë Terezën, dhe ndërmjetësimin e saj, na duhet
të sodisim dëshminë e jashtëzakonshme që gjatë dyzetë vjetëve të regjimit komunist
e dhanë martirët tanë që tani me ndërmjetësimin e vet para Hyjit po bëjnë që mirësia
dhe dashuria e Hyjit t’i vërshojë zemrat e vëllezërve dhe të motrave tona përmes zërit
të ëmbël të Radio Marisë në Shqipëri dhe kudo në botë. Mirëpo, të dashur miq,
rrugëtimi i kësaj vepre të Hyjit nuk përfundon këtu. Kemi nevojë që të rritemi dhe
të udhëtojmë së bashku. Kemi nevojë që ta zgjerojmë zemrën tonë ashtu që të jetë e
gatshme për të pranuar edhe më shumë hir dhe dashuri që na dhuron qielli. Kemi nevojë
që të afrohemi edhe më shumë me njëri-tjetrin që t’i përballojmë të gjitha sfidat
e reja, të cilat Nëna e Këshillit të Mirë do t’i vendosë para nesh. Ajo dëshiron që
të bashkohemi me të dhe të lutemi më shumë, dëshiron që të punojmë më shumë, të flijohemi
më shumë, sepse pikërisht përmes këtyre virtyteve që do t’i gjejë në ne, ajo dëshiron
të arrijë edhe shumë zemra të bijve dhe bijave të veta që ende qëndrojnë të mbyllur
plotësisht përballë hireve dhe dashurisë që Mëshira hyjnore e ka për ta. Derisa
kremtojmë dhe falënderojmë për nëntë vitet e punës që i ka bërë Radio Maria në ne
dhe rreth nesh, është mirë që të jemi të vëmendshëm dhe t’i dëgjojmë ato thirrje që
në secilin prej nesh i bën Shpirti i Zotit për ta vazhduar rrugën tonë të mëtutjeshme
që na e ka përcaktuar Hyji. Kryerjen e detyrave do ta bëjmë më së miri në qoftë se
e lejojmë Zotin të veprojë në ne dhe përmes nesh. Hyji do ta marrë zotërimin mbi jetën
tonë gjatë bashkimit tonë me të në lutje, përmes meditimit dhe mësimit që Radio Maria
ia ofron zemrës tonë në mënyrë të vazhdueshme. T’i afrohemi burimit të hirit për të
falënderuar për të kaluarën dhe për të gjetur fuqi veprimi në të ardhmen. Zoja
e Këshillit të Mirë, Nënë Tereza dhe Shërbëtorët e Hyjit, pajtorët e Radio Marisë
ndërmjetësofshin që zemra jonë të jetë e gatshme për t’i pranuar dhe për t’i jetësuar
të gjitha frymëzimet hyjnore që Mëshira hyjnore dëshiron t’i realizojë në të ardhmen
përmes valëve të Radio Marisë. Hiri dhe bekimi i Zotit e stolistë jetën e popullit
tonë përmes bukurisë, të cilën po e bën të pranishme dashuria e të gjithë njerëzve
që e mbështesin dhe e çojnë përpara Radio Marinë. Urime! Don Preka