Patrikana latine e Jeruzalemit dënon masakrën e hebrenjve në Burgas
Edhe Kisha Katolike dënon atentatin kundër hebrenjve në Bullgari. “Ç’ka ndodhur është
vërtet tragjike dhe e tmerrshme. Nuk mund të vrasësh në emër të Zotit, ose në emër
të ndonjë ideologjie. Është e papranueshme”. Kështu komenton për agjensinë kishtare
Sir, vikari patriarkal i Jeruzalemit, imzot Uiliam Shomali. “Me këtë sulm të ulët
– pohon më tej ai – shtohet vuajtja e popullit hebraik, i persekutuar rëndë gjatë
Holokaustit. Nuk mund të rrimë duarkryq, por dënojmë ashpër këtë akt barbar. Nëse
ka konflikt, ai duhet zgjidhur me bisedime e jo me hakmarrje e genocide. Jemi kundër
çdo forme dhune”. Imzot Shomali nuk mungon të shprehë shqetësimin e tij për shkallëzimin
e dhunës e të tensionit në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, vend i lidhur ngushtë
me Libanin, ku Papa do të shkojë pas më pak se dy muajsh. “Shumë pretendojnë se gjendja
në Siri do të zgjidhet së shpejti e se do të kemi një fitimtar – pohon prelati – por
harrojnë të thonë se i munduri dihet që tani. Është populli, i cili ka pasur shumë
viktima, është ekonomia e shkatërruar, është indi shoqëror i shthurur nga përçarjet
etnike e fetare”.