4. Koncili i Nikesë, mbajtur në vitin 325 mbas Krishtit. Vazhdojmë bisedën
mbi Koncilet Kishtare gjatë historisë, e sot flasim mbi Koncilin e Nikesë, mbajtur
në vitin 325 pas Krishtit. Nikea është një qytet i Lindjes ku, në vitin 325 mbas
Krishtit, u mblodh Koncili i parë e i vërtetë Ekumenik, i njohur nga katolikët, ortodoksët,
ungjillorët, nga të gjitha Kishat, pa asnjë përjashtim. Një e papritur: u thirr
e u kryesua nga Perandori Kostandin, i cili para ndonjë viti e kishte pranuar fenë
e krishterë për të gjithë Perandorinë romake, pas dy shekujve, gjatë të cilëve mbi
gjakun e martirëve, derdhur rrëke, kishte lindur një popull i panumërt, por shumë
i trazuar, sidomos në Aleksandri e në Egjipt, ku kishte ndeshje të ashpra doktrinore.
E kjo e dëmtonte forcën centraliuzuese të Perandorisë romake. Në qendër të kundërshtimeve
ishte ipeshkvi Arius, që e mohonte natyrën e vërtetë hyjnore të Krishtit, duke e
parë Jezusin si njeri të lindur nga një grua e pastaj të bijësuar në mënyrë të jashtëzakonshme
nga Ati Hyjnor. Nuk ishte Zot, pra. I ngjashëm me Atin, në greqisht omoioùsios,
por jo i njënjëshëm, greqisht Omooùsios. Katër vjet para ngjarjes konciliare, një
sinod vendas, i thirrur nga ipeshkvi Aleksandër, e kishte shkishëruar ipeshkvin Arius.
Po ai e ndjekësit e tij vijonin ta përçanin Kishën. Kundërshtimi tjetër lidhej
me datën e kremtimit të Pashkëve. Kishat e krishtera nuk ishin, e nuk janë ende, pas
mijëra vjetësh, të një mendjeje edhe për datën e saktë, e të përbashkët, të kremtimit
të Pashkëve. Gjithë këto ngjarje krijonin një rrezik të vërtetë për Perandorinë.
E atëherë, për ta shmangur, Kostandini thirri , me shpenzimet e veta, më 20 maj, në
Nike, rreth 300 ipeshkvij, të gjithë lindorë, me përjashtim të pesë prelatëve: Marku
i Kalabrisë; Çeçili, afrikan kartagjenas; Ozi, spanjoll nga Kordova; Nikasi i Dizhonit,
nga Galia dhe Domnusi, nga zona danubiane. Dhe ishte e natyrshme, sepse grindja mbi
doktrinën e Arius ndjehej më shumë në Lindje. Dy priftërinj-delegatë përfaqësonin
Papën Silvestër, ipeshkëv i Romës. U përurua, kështu, një praktikë, që do të vijonte
në shekuj. Duke u bazuar në dokumentet konciliare, mësojmë se në Koncilin e Nikesë
(325), ishin të pranishëm disa ipeshkvij të Dardanisë e të Maqedonisë, troje që përkojnë
me Shqipërinë etnike lindore. Diskutimi, në pallatin perandorak, qe shumë i ashpër.
Tregojnë kronikat se Ipeshkvi Nikolla i Mirës, domethënë Shën Nëkolli, nuk mundi ta
durojë ipeshkvin Arius që nuk merrte vesh me fjalë, dhe e goditi me shuplaka. Po ai
vijonte të ngulte këmbë në të tijën, i mbështetur vetëm nga Euzebi, ipeshkëv i Nikomedisë,
derisa të dy u deklaruan njëzëri heretikë dhe përçarës të fesë e të Kishës. Në
përfundim Koncili hartoi një formulë, thelb i fesë, që mbeti në historinë e Kishës
me emrin Simboli niken e që e shpallte Krishtin Zot i vërtetë e Njeri i vërtetë. Sipas
Formulës, Jezusi ishte Zot, jo i krijuar, por i njëgjëjtë me Atin: i lindur prej Atit
para gjithë shekujve, i mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt në Jezusin e Nazaretit,
e pastaj i kryqëzuar, i vdekur e i ngjallur vërtet, në kundërshtim me teoritë gnostike,
që mohonin mishërimin e vdekjen, të padenja për realitetet hyjnore. U morën vendime
edhe për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj atyre, të cilët asokohe njiheshin me emrin
‘lapsi’. Ishte fjala për të krishterët e parë, të cilët, në kohën e persekutimeve,
nga frika e martirizimit, e patën tradhtuar fenë, si dhe për pagëzimin e heretikëve,
që kthehesh në fenë e vërtetë. Vinin më pas, një mori kanunesh a rregullash praktike,
ndërmjet të cilave, ndalimi i vetgjymtimit seksual, pasojë e marrëzisë së seksofobisë,
a urrejtjes për seksin, e, sidomos, njohja parisë së ipeshkvit të Romës, ndjekur
nga ai i Aleksandrisë dhe i Jeruzalemit. Koncili u mbyll solemnisht më 25 korrik
të vitit 325, ditë e njëzetvjetorit të sundimit të Perandorit Kostandin, i cili në
lutjen përfundimtare, duke ndaluar çdo debat kristologjik, miratoi edhe datën përfundimtare
të Pashkëve të krishtera, të ndryshme nga ato hebraike, dhe shpalli sigurimin e unitetit
të ri e të vërtetë të mbarë Kishës. Papa Silvestër, nga Roma, pak më vonë, e miratoi
Koncilin, që mbeti si ngjarje e madhe në gjithë historinë e Kishës katolike.