2012-07-18 13:13:51

Koncili i Jeruzalemit, parë nga Benedikti XVI


3. Koncili i Jeruzalemit, parë nga Benedikti XVI.
Vazhdojmë bisedën mbi Koncilet kishtare gjatë historisë. Edhe sot vijojmë të flasim mbi Koncilin e parë të Kishës, atë të Jerusalemit.
Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Palit, më 1 tetor të vitit 2008, u ndalua posaçërisht tek Koncili i Jeruzalemit, si çast vendimtar për jetën e Kishës në fasha, objekt i emisionit tonë të kaluar, duke kujtuar se në të gjithë historinë e Kishës Krishterimi nuk ka qenë liri për të bërë si të duash, por liri për të pranuar Ungjillin e për t’i shërbyer.
Në Kishë ekzistojnë karizma të ndryshme, por më e rëndësishmja është që çdo i krishterë t’i qëndrojë besnik së vërtetës së Ungjillit e të vihet në shërbim të të varfërve, me atë çiltërsi e liri, që ishin tipike për bashkësitë e para të krishtera. Papa ndalohet tek dy çaste-kyçe të jetës së Shën Palit: Koncili i Jeruzalemit dhe i ashtuquajturi ‘aksidenti i Antiokisë’.
Është një fjalë, në përvojën njerëzore, që hap gjithnjë horizonte të pakufishme e që merr kuptime edhe më të thella, në dritën e mesazhit të Krishtit. Kjo fjalë e bekuar është ‘liria’. Liria, ashtu si kuptohej në kohët e largëta, kur u mblodh Koncili i Jeruzalemit, e si kuptohet në çdo kohë, ka karakteristika të mirëpërcaktuara. Lind nga Shpirti Shenjt, përkon plotësisht me të vërtetën e Ungjillit e nuk i harron kurrë të varfërit. Dy episodet ndriçojnë plotësisht mënyrën si e kuptonte Pali ‘Ungjillin e lirisë, të parë në lidhje me ligjin”. Kur, aty rreth vitit 50, Dymbëdhjetë Apostujt e edhe Pali u mblodhën në Jeruzalem për Koncilin e parë në historinë e Kishës, u paraqit çështja, që kërkonte sqarim të ngutshëm: paganët e kthyer në krishterim duhet t’i nënshtroheshin apo jo Ligjit të Moisiut e, prej këndej, edhe rrethprerjes, ashtu si të krishterët që vinin nga hebraizmi? Pali, personifikim i apostullit ndërmjet paganëve, nuk ka asnjë dyshim. Në dritën e takimit me Krishtin e ngjallur, ai kishte kuptuar se në çastin e kalimit tek Ungjilli i Krishtit, nuk ishte më e nevojshme që paganët të rrethpriteshin, t’u nënshtroheshin rregullave që kishin të bënin me ushqimin e me të shtunën, për t’u dalluar si të drejtë: Krishti është drejtësia jonë, prandaj është ‘e drejtë’ gjithçka përkon me Të. Nuk është nevoja për shenja të tjera dalluese, që të jesh i drejtë.
Por, na kujton Benedikti XVI, liria e krishterë nuk mund të identifikohet kurrë me liberalizmin apo shthurjen e as me dëshirën për të bërë si të duash; ajo realizohet në përkim me Krishtin e, prej këndej, në shërbimin ndaj vëllezërve, sidomos të atyre që kanë më shumë nevojë.
Mbledhja e lëmoshëve, si formë e ndihmës për të varfërit, kujton Papa, ishte tipike për të gjitha Kishat që ndoqën porositë e Koncilit të Jeruzalemit: nuk ishte e detyrueshme, por e lirë, e vetvetishme, dëshmi që tregon se dashuria për të varfërit e kulti i brendshëm i Kishës shkojnë krah për krah.
Ishte fjala për një nismë krejt të re në panoramën e veprimtarive fetare (…). Mbledhja e lëmoshës shprehte detyrimin e bashkësive për Kishën e tyre nënë të Palestinës, nga e cila kishin marrë dhuratën e parrëfyeshme të Ungjillit. Aq e madhe është vlera që i jep Pali këtij gjesti të ndarjes së përbashkët të pasurisë, sa rrallë herë e quan thjeshtë ‘lëmoshë’: për të ky është ‘shërbim’, ‘bekim’, ‘dashuri’, ‘hir’, madje ‘liturgji”.
Edhe në rastin e dytë, është përsëri ligji i Moisiut ai që kushtëzon sjelljen e Kryetarit të Apostujve. Pjetri, vëren Benedikti XVI, për të mos i shkandulluar të krishterët, që ndiqnin rregullat e pastërtisë së ushqimit, nisi të mos hajë më me paganët. Pali i kundërvihet me çiltërsi, duke e akuzuar Pjetrin për hipokrizi. Në të vërtetë Pali e Pjetri nuk kishin të njëjtat shqetësime e ngjarja e Antiokisë është një mësim që duhet ta nxëmë të gjithë.
Me karizmat e ndryshme, që iu besuan Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin.
Papa e quan ‘ngjarje e Shpirtit Shenjt’ koncilin e Jeruzalemit, si dhe çdo koncil e çdo sinod të Kishës!







All the contents on this site are copyrighted ©.