2012-07-18 14:45:11

Kardinali Filoni viziton Republikën Qendroafrikane, ku do të shugurojë 4 ipeshkvij


Kardinali Fernando Filone, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, arriti sot pasdite në Republikën Qendroafrikane për një vizitë baritore njëjavore. Çasti më solemn i vizitës do të jetë ai i së dielës, 22 korrik, kur Hirësia e Tij do të shugurojë 4 ipeshkvij, emëruar nga Benedikti XVI më 14 majin e kaluar. Janë: imzot Dieudonné Nzapalainga (kryeipeshkëv i Bangui), imzot Nestor-Désiré Nongo Aziabgia (ipeshkëv i Bossangoa), imzot Dennis Abgenyadzi (ipeshkëv i Berbérati) e imzot Cyr-Nestor Yapaupa (ipeshkëv ndihmës i Alindao).
Në programin e vizitës së kardinalit Filoni, njofton agjencia Fides, përfshihen disa takime: me ipeshkvijtë e mëkëmbësit e përgjithshëm, me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, me mësuesët e seminareve dhe delegatët laikë.
Më 20 korrik Prefekti i Dikasterit Misionar do të pritet në audiencë nga kreu i shtetit. Do të vizitojë edhe disa jetimore e famulli të Bangui.
Më 26 parashikohet rikthimi në Romë.
Sipas të dhënave të kohëve të fundit, Kisha në Republikën Qendroafrikane shtrihet në një territor me sipërfaqe prej 622.984 kmk, me një popullsi prej 4. 298.000 banorë, nga të cilët, 1.282.000 katolikë, organizuar në 9 qarqe kishtare, 116 famulli, 10 stacione misionare me meshtarë të përhershëm e 1.615, me meshtarë shëtitës. Kishës i shërbejnë 11 ipeshkvij, 192 priftërinj dioqezanë e 125 rregulltarë, ndërmjet të cilëve, 23 nuk e kanë urdhërin e meshtarisë; 354 rregulltare, 13 anëtare të instituteve rregulltare femërore, 26 misionarë laikë, 4.199 katekistë. Në seminaret e vogla përgatiten 222 kandidatë për priftërinj, 124 për rregullatrë. Në seminarin e madh vijojnë përgatitjen 156 kandidatë për priftërinj dioqezanë, 62 për rregulltarë.
Kisha drejton 106 kopshte, 148 shkolla fillore e 23 të mesme, përveç 114 instituteve të bamirësisë e të asistencës, ndërmjet të cilave, 12 spitale, 35 dispanseri, 8 qendra për pleq e handikapatë, 4 jetimore, 23 qendra riedukimi. Disa të dhëna për historinë e Ungjillëzimit: në vitin 1846 trojet e Republikës së sotme Qendroafrikane bënin pjesë në vikariatin apostolik të Afrikës Qendrore, që asokohe i qe besuar atë Daniel Kombonit dhe misionarëve të tij. Misioni i parë katolik në vend u themelua në Ubanghi-Chari, nga misionarët Spiritanë, në vitin 1894, dërguar nga prefekti i Brazavilit. Në vitin 1909 u ngrit prefektura e Unbanghi-Chari. Më 1929 arritën rregulltaret e para, Motrat Misionare të Shpirtit Shenjt. Në vitin 1937 prefektura apostolike e Ubanghi-Chari u bë vikarariat apostolik e u quajt Bangui. Më 1938 u shugurua meshtari i parë vendas, ndërsa më 14 shtator 1955, u krijua hjerarkia vendase, ndërsa Bangui u ngrit në rangun e kryedioqezës metropolitane.







All the contents on this site are copyrighted ©.