2012-07-18 14:46:12

Damasku në flakë: luftime rreth pallatit presidencial; çdo ditë vdes të paktën një fëmijë, sipas Uniçefit. Dëshmia e një murgeshe.


Kriza siriane thellohet. Sot paradite, gjatë një atentati, humbi jetën ministri i mbrojtjes dhe një nga këshilltarët e lartë ushtarakë, kunati i Asadit, ndërsa ai i brendshëm, u plagos rëndë. Rebelët po godasin zemrën e Shetit sirian, pikërisht në ditën kur Këshilli i sigurimit i OKB-së përballon një seancë të vështirë lidhur me masat e reja të mundshme kundër Damaskut.
Ndërkaq, Damasku vijon të digjet: dëgjohen shpërthime e lartohen flakë të kallura nga ushtria herë në një lagje e herë në një tjetër e qarkullojnë lajme të frikshme lidhur me përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit. Gjithnjë më e rëndë, edhe situata humanitare: numri i refugjatëve sirianë të asistuar nga OKB-ja në vendet fqinje, është trifishuar që nga prilli i kaluar, duke arritur në 112 mijë, ndërsa Unicef-i nënvizon se çdo ditë vdes të paktën një fëmijë.
Sipas dëshmisë së nuncit apostolik në Damask, imzot Mario Zenari, gjendja në kryeqytet është shumë e nderë. Parashikohen ditë të vështira. Diplomacia, ndërkaq, pret paketën e re të sanksioneve të BE-së, Kina i kundërvihet ndërhyrjes ushtarake, ndërsa në Moskë kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, bisedoi dje me ndërmjetësuesin e OKB-së, Koffi Annan. E pikërisht prej njërës nga lagjet në flakë të Damaskut, arrin dëshmia e motër Marçelës, rregulltare e salezianeve të Zojës Ndihmëtare, që drejtojnë të vetmin spital privat të qytetit e vijojnë, pavarësisht nga krismat e flakët, apostullimin e shërbimin:

Përgjigje: - Jetojmë në një situatë shpërthyese: nganjëherë arrijnë lajme, që na tmerrojnë, herë tjetër thonë ‘Jo, jo! Mos u trembni, e keqja e madhe kaloi”. Jeta jonë është plot me krisma bombash, që dje e sot janë bërë më të shpeshta. Morëm edhe lajmin se ambasada italiane ka dhënë urdhër për largimin e gjithë bashkatdhetarëve: nuk e di sa është e vërtetë. Sidoqoftë, këtij urdhëri mund t’i binden të gjithë, veç rregulltareve. Ne përgatitemi edhe për martirizim, ndonëse bashkëjetesa ndërmjet nesh e tyre ka qenë gjithnjë e mrekullueshme. Kanë pasur për ne nderim të madh. Salezianët, përkrah nesh, organizojnë oratorin me fëmijët ortodoksë, irakianë, me refugjatët, ditë për ditë. Jeta është bërë tepër e shtrenjtë e njerëzit e varfër rrezikohen edhe për ato dy kacidhe të shkreta, që u duhen për të mbajtur frymën gjallë.

Pyetje: - A ju mbrojnë forcat civile?

Përgjigje: - Po. Siç ju thashë thuhet se na mbrojnë. Na thonë: “Kini kujdes, tani ka rrezik, mos dilni...”. Ndokush përhap fjalë kërcënuese: “Tashti e kanë radhën të krishterët!”, ose, “Në se doni të shpëtoni, ikni nga shtëpitë”. Këtu tek ne kanë ardhur shumë refugjatë nga Homsi. Ndërmjet tyre, një mori fëmijësh të terrorizuar. Nuk e di në se duan ta rrënojnë edhe këtë qytet. Më duket e pamundur! Të rrënosh një qytet kaq të bukur e kaq të shenjtëruar nga prania e Shën Palit, ku u kthye Apostulli i Popujve, e pikërisht prej Krishtit e ku, besojmë, na ruan vetë Zoja e Bekuar. Kjo na ngjall shpresa të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.