2012-07-17 17:58:07

Zëdhënësi i ipeshkvijve evropianë: “Kisha nuk ka asgjë për të fshehur”.


“Kisha nuk ka asgjë për të fshehur edhe në fushën e drejtimit të financave”. E pohojnë këtë zëdhënësit e Konferencave ipeshkvnore të Evropës, në një komunikatë shtypi, botuar këto ditë e rimarrë nga agjencia Sir, në përfundim të takimit të tyre vjetor, mbajtur në Këln, nga 11 deri më 14 korrik.
Në komunikatë zëdhënësit shprehin vlerësimin për politikën e transparencës, edhe në financa, mbështetur fuqimisht nga Ati i Shenjtë.
E, si komunikatorë, të cilët ndjejnë keqardhje për vuajtjet, që i shkaktoi Papës një gazetari, e cila i respekton pak e aspak ligjet, ripohojnë besnikërinë e tyre të patundur ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit.
Takimi i Këlnit, organizuar nga Këshilli i Konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee), sivjet u përqendrua tek mënyra e komunikimit të financave të Kishës. “Impenjimi për një kumunikim transparent lidhur me financat e Kishës, lexohet në komunikatë, është detyrë, që duhet t’u përkasë të gjitha institucioneve kishtare, nga famullitë, tek shoqatat e lëvizjet katolike e tek shkollat. Kisha nuk ka asgjë për të fshehur, edhe në fushën e mbarështimit të financave!”. Zëdhënësit nënvizojnë se ajo që nganjëherë mund të duket e mjegullt ose pak transparente, në të vërtetë duhet parë si pasojë e vështirësive, që hasin një mori strukturash e realitetesh institucionale, anëtare të Kishës, për të komunikuar.
Në komunikatë shpjegohet se nuk ekziston një buxhet i vetëm ekonomik për Kishën. Ekzistojnë mijëra e mijëra buxhete e bilance të famullive, dioqezeve, shkollave, spitaleve, strehëve. Të gjitha këto buxhete, marrë së bashku, përbëjnë buxhetin e Kishës. E të gjitha këto realitete impenjohen prej kohe, ku me më pak e ku me më shumë sukses, ta komunikojnë në mënyrë sa më transparente frytin e punës së tyre në fushën ekonomike. Sot, vijojnë zëdhënësit evropianë në deklaratë, transparenca është bërë faktikisht çmimi që duhet paguar, për të fituar besimin, edhe për Kishën. Prandaj të gjitha realitetet kishtare e, në radhë të parë, Konferencat ipeshkvnore, duhet të përgatiten, për ta paraqitur sa më mirë realitetin e tyre e misionin e tyre. E shtojnë: “Shumë nga paragjykimet e sotme janë fryt i mungesës së informimit të saktë, që krijon rrezikun ta modifikojë, edhe në kulturën kishtare, perceptimin e lidhjes së Kishës me paranë. Kisha nuk është shoqëri, që lufton për fitime e paraja është vetëm mjet, i cili i shërben për të realizuar misionin e kumtimit të Krishtit në histori”.
Pjesa më e madhe e takimit iu kushtua, pastaj, njohjes nga afër të veprimtarisë së kishës katolike në Gjermani dhe mjeteve të komunikimit, që përdor.
Gjatë punimeve, u paraqit edhe një raport, kushtuar veprimtarive të zhvilluara nga agjencia “Sir Europa”.







All the contents on this site are copyrighted ©.