2012-07-16 16:58:36

“Lum ata, që punojnë për paqen” është tema e Ditës Botërore të Paqes 2013.


Për kremtimin e Ditës së 46-të Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2013, Ati i Shenjtë zgjodhi temën: “Lum ata, që punojnë për paqen!”.
Mesazhi vjetor i Papës, në rrethanat e ndërlikuara aktuale, ka për qëllim t’i inkurajojë të gjithë njerëzit vullnetmirë për ta ndjerë thellë përgjegjësinë lidhur me sigurimin e paqes.
Në Mesazh shpjegohet në mënyrë të gjithanshme koncepti i paqes, duke u nisur nga qenia njerëzore: flitet për paqen, që njeriu e ka në shpirt, e për atë që buron ose që humbet për shkak të ndikimit të mjedisit rrethues. Vihet, pastaj, theksi, mbi çështjen antropologjike, mbi natyrën dhe ndikimin e nihilizmit si dhe mbi të drejtat themelore, duke vënë në radhë të parë lirinë e ndërgjegjes, lirinë e fjalës, lirinë fetare.
Mesazhi ofron edhe një reflektim etik mbi disa masa, që po merren në botë për të frenuar krizën ekonomike e financiare, thekson emergjencën edukative, vë në dukje krizën e institucioneve e të politikës e cila, në shumë raste, është edhe krizë shqetësuese e demokracisë.
Mesazhi lidhet me 50 vjetorin e Koncilit II të Vatikanit si dhe me enciklikën e Papës Gjoni XXIII, ‘Pacem in terris’, që vë në plan të parë dinjitetin e njeriut dhe lirinë e tij, për krijimin e një mjedisi në shërbim të çdo njeriu, pa asnjë dallim, me synimin për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, mbi të cilën bazohet drejtësia edhe paqja e vërtetë.
“Lum ata që punojnë për paqen” do të jetë Mesazhi VIII i Papës Benedikti XVI për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes 2013.
Në vijim, po kujtojmë titujt e mesazheve të mëparshme: “Nuk mund të ketë paqe, pa të vërtetën” (2006); “Njeriu është zemra e paqes” (2007); “Familja njerëzore, bashkësi e paqes” (2008); “Të luftohet kundër varfërisë, të ndërtohet paqja”(2009); “Në se dëshiron të kultivosh paqen, mbroje gjithësinë”(2010); “Liria fetare, rrugë për paqen”(2011) dhe “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes” (2012).







All the contents on this site are copyrighted ©.