2012-07-16 17:27:45

“Fundi dhe fillimi”: shkrimtari George Weigel përfundon biografinë monumentale të Papës Vojtila.


E kishte këputur rrëfimin për jetën e Papës Vojtila, në prag të Jubileut të Madh të dymijëshit. Tani, shkrimtari amerikan George Weigel, e përfundoi veprën e nisur në vëllimin “Dëshmitar i shpresës”, me një vëllim tjetër voluminoz, titulluar “Fundi e fillimi”, botuar nga Cantagalli. E ndoqëm paraqitjen e librit:
Titullin e vëllimit të parë ia pati ‘dhuruar’ vetë Papa kur, më 1995, nga tribuna e OKB-së në New York, e pati quajtur veten “dëshmitar i shpresës”. Tri fjalë të përsosura, tejet të përshtatshme për të qëndruar mbi kapakun e vëllimit monumental që George Weigel, teolog e shkrimtar amerikan, i pati kushtuar papnisë së Gjon Palit II, duke i treguar ngjarjet e jetës së Papës polak deri në vitin 1999.
Pasi realizoi 1300 faqe, i shton tani edhe 600 të tjera, për të përfunduar një tregim epokal për Kishën dhe botën bashkëkohore.
“Fundi e fillimi”, është titulli thellësisht simbolik i librit të ri, që u paraqit pak ditë më parë në Romë. Me të Weigel rilidh fillin e luftës së Karol Vojtilës kundër komunizmit, përshkruar në pjesën I, me atë të pjesës II, në të cilën e zgjeron më tej këtë betejë me ndikime botërore, falë studimit të dokumenteve, të cilat asokohe ishin akoma sekrete:
Mendoj se vitet e kaluara nga 1999 deri më sot, pohojnë rolin qëndror, që luajti Gjon Pali II në shembjen e komunizmit evropian. Sigurisht nuk ishte figura e vetme në këtë dramë por, pa të, ajo që sot e quajmë “1989”-ta, nuk do të kishte ndodhur, atëhere kur ndodhi e as ashtu si ndodhi”.
Libri i Weigel hyn, pastaj, në trojet deri tani të pazbuluara të viteve të fundit të jetës së Papës Vojtila, vitet entuziaste të mijëvjeçarit të tretë, i cili lind me Jubileun e perëndon me perëndimin e ngadalshëm fizik që, përmes një kontrasti mahnitës, nuk e errëson, përkundrazi, e ndriçon edhe më shumë madhështinë e shpirtit të Papës. Madhështi e njeriut, që e ndihmoi mbarë botën ta kapërcente pragun e shpresës:
“Do të thosha se Gjon Pali II ishte dëshmitari më i madh i krishterë i gjysmës së dytë të shekullit XX, që e bëri interesant e bindës krishterimin në atë nivel, në të cilin nuk kishte arritur askush tjetër - katolik, protestant ose ortodoks, në një epokë në të cilën bota mendonte se tashmë e kishte lënë pas shpine krishterimin. E, gjëja e dytë, sipas meje, është se flitet për një njeri me perspektivë të pashoqe lidhur me sfidat e lirisë, që kanë të bëjnë me shekullin XXI. Në të vërtetë shumë nga problemet, që po jeton në këtë çast Evropa, me të cilat ballafaqohet sot, u parashikuan në një farë mënyre nga Gjon Pali II qysh në vitin 2003, e edhe më parë akoma, në Enciklikën ‘Centesimus Annus’ të 1991-it”.

Kardinali Camillo Ruini, për shumë vjet tejet pranë Papës Gjon Pali II në dioqezën e Romës, shpjegon si del figura e Papës në faqet e vëllimit të ri të Weigel:Del me shumanshmërinë e vet, me kompleksitetin e vet, por edhe me forcën e, në fund të fundit, edhe me thjeshtësinë... E kjo, sepse Gjon Pali II ishte njeri tepër i thjeshtë, e edhe tepër i fortë. Forcë natyrore, forcë njerëzore e, natyrisht, forcë feje, forcë që buron nga lidhja me Zotin. Të dyja këto gjëra shkrihen në një të vetme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.