Mesha e Papës në Fraskati: kumtimi i Krishtit është për të vërtetën e drejtësinë,
jo për duatrokitjet. Të krishterët ta rilexojnë Koncilin.
Kisha nuk predikon atë, që duan të dëgjojnë njerëzit, por të vërtetën e drejtësinë.
Është një nga fragmentet e homelisë së Atit të Shenjtë, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar
sot paradite në Fraskati, përballë tetë mijë besimtarëve. Papa i vizitoi këto
troje 32 vjet pas Gjon Palit II. I pranishëm, edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit,
kardinali Tarçizio Bertone, ipeshkëv titullar i dioqezës tuskolane.
U prit
në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa, që sot ishte për vizitë në qytezën laciale e cila,
pas Romës, i ka dhënë më shumë papë Kishës. E Benedikti XVI pohoi se po e bënte këtë
vizitë për të ndarë me njerëzit gëzime e shpresa, vështirësi e impenjime, ideale e
synime. Falënderoj Zotin, shtoi, që më dërgoi mes jush për t’ju kumtuar Fjalën e Shëlbimit.
E më pas, vijoi të flasë për misionin e Apostujve, ‘të dërguarve’ nga Krishti deri
në skajet më të largëta të botës: “Fakti që Jezusi i thërret disa dishepuj
të bashkëpunojnë drejtpërdrejt në mision, flet qartë për dashurinë e Zotit: ai nuk
e shpërfill ndihmesën që mund t’i japin njerëzit e tjerë për vënien në jetë të veprës
së tij; i njeh kufizimet e tyre, ligështitë e tyre, por nuk i përbuz, madje u jep
dinjitetin të jenë të dërguarit e Tij”. Mision ky, që kërkon respektimin
e disa rregullave: dishepujt nuk duhet të jenë të dhënë pas parasë e rehatisë, duhet
ta kuptojnë mirë se mund të përçmohen e edhe të persekutohen. Ata duhet të flasin
në emër të Jezusit, kujtoi Papa, pa u shqetësuar në se do të kenë, apo nuk do të kenë
sukses. Ashtu si i ndodh Amosit Profet, që Zoti e thirri të predikonte kundër paudhësive
e padrejtësive e që u dëbua nga prifti Amazia. Po ky dëbim nuk e cënon fare misionin
e tij. Ai kishte kundra priftin, por me vete, Perëndinë. Prandaj do të vijonte të
profetizonte, do të vijonte të predikonte atë, që thotë Zoti, e jo atë që u pëlqen
njerëzve: “E ky mbetet mandati i Kishës: ajo nuk predikon atë, që
duan të dëgjojnë njerëzit e pushtetshëm. Kriteri i saj është e vërteta e drejtësia,
edhe kur kjo është kundër duartrokitjeve e kundër pushtetit njerëzor”. E
në gjestin e shkundjes së pluhurit nga këmbët, përballë njerëzve, që nuk duan ta pranojnë
kumtimin, shprehet qartë shkëputja morale e materiale. Është kumtim, u kujton Krishti
dishepujve, që duhet shoqëruar gjithnjë me kujdesin për të sëmurët. Jezusi... “I
mjekon të sëmurët në korp e në shpirt. Flet për shërime konkrete nga sëmundjet, e
flet edhe për dëbimin e djajve, domethënë për të pastruar mendjen njerëzore, për të
pastruar sytë e shpirtin e verbuar nga idelogjitë, që nuk të lejojnë të shikosh Zotin,
të shikosh të vërtetën e drejtësinë. Ky shërim i dyfishtë, fizik e shpirtëror, është
gjithnjë mandat i dishepujve të Krishtit. Prej këndej, misioni apostolik duhet të
përfshijë dy aspekte: të predikojë Fjalën e Zotit e ta bëjë të dukshme mirësinë e
tij me gjeste të dashurisë së krishterë, me shërbim e përkushtim”. Duke
iu drejtuar besimtarëve të Fraskatit, Benedikti XVI vuri me forcë në dukje rëndësinë
e punës baritore që, në radhë të parë, është impenjim formues. Është pikërisht impenjimi
i Krishtit me dishepujt, të cilët i mësoi, i përgatiti, i formoi edhe përmes praktikës
misionare, që të ishin, pastaj, në gjendje të merrnin mbi vete barrën e rëndë apostolike
të Kishës. Prindërit, famullitarët, besimtarët laikë janë të gjithë aktorë të kësaj
pune edukative; Zoti i thërret të gjithë, duke shpërndarë në gji të Kishës dhanti
të ndryshme, për detyra të ndryshme. Njëri thirret për të kryer misionin meshtarak;
tjetri, atë rregulltar e një tjetër akoma, atë familjar: “Virgjëria për Mbretërinë
e Zotit dhe martesa janë të dyja thirrje nga ana e Zotit, të cilave u duhet dhënë
përgjigje për gjithë jetën. Zoti thërret: duhet ta dëgjojmë, ta mirëpresim, t’i përgjigjemi.
Si Maria: ‘Ja, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate”. T’i përgjigjemi, pra,
përmes ungjillëzimit të ri, duke përfituar nga Viti i Fesë, që do të fillojë në tetorin
e ardhshëm, 50 vjet pas hapjes së Koncilit II të Vatikanit.Prej këndej, ftesa
për impenjim misionar. Papa i ftoi besimtarët e Fraskatit e, nga Qyteza laciale,
edhe besimtarët e mbarë botës, të jenë njerëz që luten, njerëz të lidhur ngushtë me
Krishtin, njerëz që impenjohen për t’ua çuar mesazhin e shëlbimit të gjithëve: të
vegjëlve, të varfërve e të vuajturve. Njerëz, të cilët i kundërvënë përçarjes vëllazërimin,
që kështu, tha në përfundim Ati i Shenjtë, bota të besojë se Jezu Krishti është i
gjallë në Kishën e Tij.