2012-07-15 18:33:34

Benedikti XVI në Fraskati, qytet që pas Romës i ka dhënë më shumë Papë Kishës


“Pas Romës, asnjë qytet tjetër nuk i ka dhënë kaq shumë Papë Kishës, sa i ka dhënë Fraskati. Kjo vërteton gjallërinë shpirtërore, politike, shoqërore, e një kulturë të nivelit tejet të lartë dhe zgjerim të tillë, sa të marrë pjesë në ngjarje të shekujve të tërë”. Është fjala e Palit VI, i dyti prej katër Papëve që viteve të fundit kanë vizituar dioqezën tuscolane. I pari ka qenë Gjoni XXIII më 19 maj 1959, i dyti ka qenë pikërisht Pali VI më 1 shtator 1963, i treti ka qenë Gjon Pali II, më 8 shtator 1980 e tani më 15 korrik 2012Papa Benedikti XVI.
Me kremtimin e Meshës në ora 9.30 para Katedrales së Fraskatit, Jozef Ratcinger kthehet gjurmëve të paraardhësve të vet: 53 vjet pas Papës Roncalli, i cili e vizitoi Fraskatin një pasdite, në formë private, për të takuar prelatin sëmurë mik – në shtëpinë shëndetësore të motrave të Shën Karlit – e duke kaluar pastaj në kuvendin e murgjëve kamaldolezë; 49 vjet pas Papës Montini, i cili më 1 shtator 1963 shqiptoi homelinë historike mbi “orën e laikëve”; e 32 vjet pas Papës Wojtila, i cili erdhi në Fraskati për të festuar treqind vjetorin e shugurimit të Kishës katedrale, kushtuar shën Pjetrit.
Papa Benedikti XVI e pranoi ftesën e ipeshkvit të Fraskatit imzot Raffaelo Martinelli, i cili më 3 majin e kaluar, në festën e shën Filipit e Jakut, pajtorë qiellor të Fraskatit, pat njoftuar për vizitën e Papës Ratcinger.
“Ati i Shenjtë Benedikti XVI – ka shkruar ipeshkvi – vjen për ta shenjtëruar ditën e Zotit bashkë me ne; për të na përforcuar në fe; për t’iu lutur Zotit për familjet tona, posaçërisht për të rinjtë tanë, për të gjithë njerëzit që vuajnë në trup e në shpirt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.