2012-07-14 11:48:08

Atë Lombardi: shtyhet çështja gjyqësore për Paolo Gabriele


Çështja e dokumenteve të vjedhura në Vatikan ishte, të enjten e kaluar, në qendër të vëmendjes, gjatë një takimi të shkurtër, mbajtur nga drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, me gazetarët. Të enjten, në sa përfundonte afati prej 50 ditësh i mbajtjes në arrest të ish-ndihmësit të dhomës së Papës, u njoftua se Paolo Gabriele do të vijojë edhe për disa ditë të tjera masa parandaluese. Kujtojmë se ish-ndihmësi i dhomës papnore mbetet i pandehuri i vetëm, lidhur me dokumentet e rezervuara, vjedhur në Vatikan e botuar në shtypin italian.
Tani për tani, sipas lajmit, dhënë nga drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Lombardi, në një takim të shkurtër me gazetarët, i pandehuri do të vijojë të mbetet në gjendje arresti.
Javën a ardhshme, sqaroi atë Lombardi, Papa Benedikti XVI do të takohet, në Kastel Gandolfo, me Komisionin kardinalor, kryesuar nga kardinali Julian Herranz, i ngarkuar për ndjekjen e hetimeve mbi çështjen Vatileaks:
“Komisioni kardinalor, i kryesuar nga kardinali Herranz, parashikon ta përfundojë punën e tij të dëgjimit, të përgatitjes e të paraqitjes së raportit të parë, gjatë kësaj jave e pastaj, javën e ardhshme, parashikohet takimi me Atin e Shenjtë”.
Prej këndej kuptohet se do të jetë vetë Benedikti XVI ai, që do të nxjerrë përfundimet mbi raportin e Komisionit.
E përsa i përket procedimit të Gjykatës vatikanase, hetuesi duhet të mbledhë dëshmi të tjera dhe ta përfundojë brenda dhjetë ditëve fazën e hetimit, që do të çojë në gjykimin ose në lirimin e Paolo Gabriele-s, afati i burgimit të të cilit, siç e kujtuam më lart, u zgjat edhe për disa ditë.
“Gjykatësi që heton, më thotë se duhen mbledhur edhe dëshmi të tjera e, prej këndej, edhe ditët e ardhshme do të vijojë ende kjo fazë. Pyetjet formale të Paolo Gabriele-s do të jenë akti i fundit i kësaj faze. Parashikohet që kjo të ndodhë brenda dhjetë ditësh, duke nisur nga e sotmja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.