2012-07-14 13:01:15

Atë Federiko Lombardi: “Muzika e Paqja” për të arritur mirëkuptimin mes popujve


“Për të siguruar paqen, duhet të impenjohemi, duke lënë mënjanë dhunën e armët; me kthesë, dialog, mirëkuptim”. Është mesazhi i Benediktit XVI, shprehur të mërkurën e kaluar, në përfundim të koncertit, dhënë nga Orkestra West-Estern Divan, e përbërë nga muzikantë hebrenj, të krishterë e myslimanë, që luajti Simfoninë n. 6 Pastorale dhe Simfoninë n. 5 të Ludwig van Beethoven, në kornizën sugjestive të Oborrit të Kastel Gandolfos. Të pranishëm, presidenti italian, Giorgio Napolitano me bashkëshorten dhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone.
Emocioneve të këtij koncerti, që jetuan këto ditë Papa dhe miqtë e tij të shquar, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, i kushton editorialin për Octava Dies, e Përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit. Titullohet: Muzika e Paqja”.

“Koncert i jashtëzakonshëm, ai i Kastel Gandolfos për festën e Shën Benediktit, në praninë e Papës! E ide gjeniale, ajo e Presidentit italian, Napolitano, për takimin e Papës me orkestrën tashmë të famshme të muzikantëve të rinj izraelitë, palestinezë e nga vende të tjera arabe, themeluar nga drejtuesi hebre, Daniel Barenboim dhe letrari palestinez, Edward Said,
E dy simfonitë e Beethoven-it, që u luajtën, e pesta edhe e gjashta, siç kujtoi Papa, shprehin përkatësisht dy aspekte të jetës, dramën dhe paqen.
Është më se e vërtetë se ushtrimi i artit, përtej kënaqësisë së thellë estetike, mund të shndërrohet në një mesazh të fuqishëm vlerash jetike për njerëzimin. Mund të shkrijë në një gjë të vetme, falë muzikës, talentet e ndryshme të popujve, kulturën e fenë, për t’i bërë ambasadorë të paqes! Hebrenj, myslimanë e të krishterë që akordojnë jo vetëm instrumenetet, për të krijuar harmoninë e tingujve, por sidomos shpirtrat e tyre, për të krijuar harmoninë e jetës së përbashkët, të ndërtimit të përbashkët të ardhmërisë.
Papa përgatitet për shtegtimin në Liban, në shtator. Do t’u çojë besimtarëve dhe popujve të Lindjes së Mesme frytet e Asamblesë, kremtuar dy vjet më parë nga ipeshkvijtë e zonës. Pas atyre viteve, në Vendet arabe nisi valimi i madh: mbi Sirinë rëndon barra e dhunës; Toka e Shenjtë pret zgjidhjen e konflikteve dhe fundin e tensioneve pa fund. Por, siç ka thënë Papa, duhet vijuar puna për sigurimin e paqes, “duke lënë mënjanë dhunën e armët e duke u impenjuar për kthesë personale e komunitare, me dialog, me kërkim durimtar të të gjitha mirëkuptimeve të mundshme”.
Ky koncert është shenjë shprese, i vogël mbase, por me një forcë tepër të thellë shpirtërore.
Urim i shkëlqyer edhe për shtegtimin e ardhshëm të Papës".







All the contents on this site are copyrighted ©.