2012-07-13 15:45:05

Papa punon për librin e ri kushtuar Jezusit: reflektimet për Familjen Shenjte.


Benedikti XVI vijon, në Kastel Gandolfo, impenjimet e tij baritore: përgatitet për shtegtimin në Liban dhe për takimet e tjera, të parashikuara, sidomos për hapjen e Vitit të Fesë, tetorin e ardhshëm.
Por gjen kohë edhe për të shtuar faqe të reja në vëllimin III të veprës ‘Jezusi i Nazaretit’, kushtuar Ungjijve të fëmijërisë. Njoftimin e dha zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.
Sipas Atë Lombardit, ka shumë mundësi që Papa të shkruajë edhe një letër drejtuar ipeshkvijve të botës, lidhur me çështjen e Lefebvrianëve, gjë që e bëri edhe pas heqjes së shkishërimit, si shprehje e mbarështimit shpirtëror të kësaj ngjarjeje me shumë rëndësi për unitetin e Kishës. Në se do ta bëjë përsëri, do të jetë për të gjithë një sinjal shpirtëror orientimi. E kemi parë se është tejet i aftë për ta bërë një gjë të tillë”, përfundon atë Lombardi.

Por të rikthehemi tek libri i ri i Papës, duke rikujtuar disa reflektime të Benediktit XVI gjatë viteve të fundit, kushtuar fëmijërisë së Jezusit e, sidomos, edukimit të tij për t’u lutur në gjirin e Familjes së Nazaretit.
Familja është shkolla e parë e lutjes, pohon Benedikti XVI në audiencën e fundme të vitit 2011, kushtuar Familjes Shenjte të Nazaretit dhe lidhjes së saj të ngushtë me lutjen. Në këtë shkollë, Maria e Jozefi qenë mësuesit e lutjes për Birin e Zotit. Mister, ky, që bëhet edhe më i thellë, për shkak se Ungjijtë flasin shumë pak për miturinë e Krishtit. Benedikti XVI po gërmon pikërisht në rrëfimet ungjillore, që flasin për Familjen e fëmijërisë dhe të rinisë së Jezusit, ikonë e Kishës shtëpiake për të gjitha familjet e sotme të krishtera:
“Jozefi e kreu plotësisht rolin e tij atëror, në të gjitha drejtimet. E mësoi Jezusin si të lutej, së bashku me Marinë. Sipas traditës hebraike, ai i printe lutjes shtëpiake, si në të përditshmen e saj, mëngjes, mbrëmje e në sofër, ashtu edhe në festat kryesore fetare. Kështu, në ritmin e ditëve, kaluar në Nazaret, ndërmjet shtëpisë së thjeshtë e punishtes së Jozefit, Jezusi mësoi t’i këmbejë lutjen e punën e t’ia ofrojë Zotit edhe djersën e derdhur për të fituar bukën e përditshme, të nevojshme për të mbajtur gjallë familjen (Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2011).
E sipas shembullit të Familjes së Nazaretit, Papa i nxit të gjitha familjet të bëhen Kisha shtëpiake, shkollat e para të lutjes.
Një episod tjetër, që përshkuan Papa, është ai i Paraqitjes së Krishtit në Tempull. Maria e Jozefi e çojnë Fëmijën në Jeruzalem. Si të gjitha familjet hebreje, që i binden Ligjit, kujton Papa, prindërit shkojnë në Tempull për t’ia kushtuar Zotit djalin e tyre të parëlindur e për t’i falur flije. Flijim i thjeshtë i familjeve të varfëra: vetëm dy pëllumba!
Dihet se familja hebreje, ashtu si familja e krishterë, lutet brenda mureve të shtëpisë, por edhe në gjirin e bashkësisë. Ungjilli i Shën Lukës na tregon se prindërit e Jezusit shkonin vit për vit në Jeruzalem. Kështu edhe kur Jezusi mbushi 12 vjeç, sipas zakonit, u ngjitën në Jeruzalem për festën e Pashkëve. Në këtë fragment ungjillor tregohet se Jezusi mbeti në Tempull pa dijeninë e prindërve, të cilët e gjetën aty vetëm pas tri ditësh, në mes të dijetarëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje. Përmes kujtimit të këtij episodi të njohur, Benedikti XVI shpjegon lidhjen e Jezusit të ri me lutjen në Tempullin e Jeruzalemit, duke u marrë, siç do t’u thoshte prindërve, “me punët e Atit të tij”. Shqiptonte, kështu, pikërisht këtë fjalë: Atë! Me vetëdijen e plotë të Birit të vetëm. E ky është kyçi, që hap misterin e lutjes së krishterë:
“Ta pyesim veten: nga kush e mësoi Jezusi dashurinë për gjërat e Atit të tij? Sigurisht, si bir, e njihte mirë Atin, kishte lidhje të ngushtë personale e të përhershme me Të. Por, në kulturën e tij konkrete, natyrisht i mësoi nga prindërit e tij lutjet, dashurinë për Tempullin dhe Institucionet e Izraelit. Prandaj mund të pohojmë se vendimi i Jezusit për të ndenjur në Tempull, ishte, mbi të gjitha, fryt i lidhjes së Tij të ngushtë me Atin, por edhe fryt i edukatës që mori nga Maria e Jozefi”( Lutja e Engjëllit të Tënzot, 27 dhjetor 2009).
Jezusi na mëson, kështu, si të jemi bij, pikërisht në lidhjen me Atin në lutje. Misteri kristologjik, misteri i jetës së krishterë, lidhet ngushtë me lutjen e bazohet mbi të. Jezusi do t’i mësonte një ditë dishepujt e tij të luteshin, duke u thënë atyre: kur të luteni, thoni “Atë”. E, natyrisht, mos e thoni këtë vetëm me fjalë, por me gjithë vetveten, me gjithë jetën tuaj. Mësoni gjithnjë më shumë të thoni “Atë”; me jetën tuaj; e kështu do të jeni bij në Birin, të krishterë të vërtetë.
Kështu, në reflektimet e Papës theksohet përsëri me forcë rëndësia e edukimit për t’u lutur e për të thelluar gjithnjë më shumë lidhjet me Atin qiellor:
“Që asokohe, mund ta përfytyrojmë, lutja zuri një vend edhe më të rëndësishëm, sepse nga zemra e Krishtit fëmijë, adoleshent e pastaj i ri, do të përhapej e do të rrezatonte në zemrën e Marisë e të Jozefit kjo ndjesi e thellë e lidhjes me Hyjin Atë”( Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2011).
Kështu Maria u bë model i lutjes për gjithë të krishterët:
Maria është modeli i pakapërcyeshëm i kundrimit të Krishtit. Fytyra e Birit i përket në mënyrë krejt të veçantë, sepse ai u formua në prehërin e saj, duke i ngjarë pikërisht asaj, si njeri. Askush nuk iu kushtua me aq zell kundrimit të Jezusit, sa Maria.







All the contents on this site are copyrighted ©.