2012-07-13 17:24:48

Nunci apostolik në Itali: Papa nuk udhëhiqet nga sondazhet.


Papa dhe Kisha nuk ndikohen e aq më pak udhëhiqen nga sondazhet. Kisha, kujtoi Ati i Shenjtë pak ditë më parë, nuk është shoqatë e njerëzve të përsosur.
Pikërisht këtë e nënvizoi kryeipeshkvi, imzot Fulvio Bernardini, nunc apostolik në Itali e në San Marino, në homelinë e Meshës, kremtuar në festën e pajtorëve, Shenjtorëve Ermakora e Fortunato nga Akuilea.
“Kisha lufton kundër mëkatit, por nuk mund ta zhdukë atë. Kisha i fal ata që i pranojnë fajet, por mëson edhe se duhet të pendohen e të marrin një ndëshkim të drejtë, në përkim me mëkatin e kryer. S’ka falje, pa pendim, as zgjidhje, pa shlyer mëkatin e kryer.
Kisha i kumton njerëzimit se, përveç drejtësisë njerëzore, ka edhe një drejtësi tjetër, më e larta, drejtësia hyjnore, drejtësi absolute, falje e dënim.
Kisha mëson të vërtetën e fesë. Sipas kësaj së vërtete, ekziston një dënim i pambaruar, për të cilin shpesh nuk kemi guximin as të flasim.
Bota moderne është gati të falë gjithkënd, gjithçka. Kërkon edhe që Kisha ta kumtojë të ngjallurit prej të vdekurve në një mënyrë që dëshiron fundin e të gjithave, faljen e të gjithëve!
Realitete kaq të ndryshme, nënvizoi imzot Bernardini, që nuk mund të mos i kundërvihen njëri-tjetrit. Prej këndej, radhët e martirëve, në luftë të përhershme kundër mëkatit, shtohen nga breznia në brezni, me besimin e patundur se, në fund të fundit, forcat e së keqes nuk do të mund të fitojnë mbi ato të së mirës.







All the contents on this site are copyrighted ©.