2012-07-13 14:34:25

Një libër i ri i Papës: “Mendime feje për një jetë të lumtur”.


Një libër tjetër i ri do t’i shtohet së shpejti bibliotekës së pasur, dalë nga penda e Benediktit XVI. Titullohet “Mendime feje për një jetë të lumtur”, Libri i ri i Jozef Ratcinger, që Shtëpia Botuese italiane Mondadori do ta nxjerrë nga shtypi nëntorin e ardhshëm. Me nëntitull “Reflektime, sentenca, këshilla për meditimin e përditshëm”, përmbledh në 200 faqe mësime shkëputur kryesisht nga Enciklikat e Papës.
Sipas botuesit, po ta shfletosh, do të gjesh në çdo faqe diçka të re, frymëzuese, që të nxit ta ballafaqosh vetveten me mësimet e Ungjillit, të shtyn të reflektosh thellë e të njohësh mendimin po aq të thellë të Papës-filozof mbi temat e fesë dhe të jetës së krishterë. Përveç Enciklikave dhe fjalimeve zyrtare, në libër përfshihen edhe reflektime nga bisedat e Papës me bashkëbisedues të ndryshëm, në çaste më pak publike, prej këndej, më pak të njohura.
Libri ndjek rendin alfabetik, duke nisur nga “ambienti”, për të përfunduar tek vetmia e vullnetariati. Ndërmjet: konsumizmi, kriza, ekonomia, globalizimi, fitimi etj. etj. Radhiten njëri pas tjetrit, argumentet më të mprehta të Papnisë së Benediktit XVI, në gjurmët e shqetësimeve kryesore bashkëkohore e në ndihmë të jetës shpirtërore të njeriut të sotëm, që rrezikon të zbehet më tej, duke krijuar shqetësime të reja etike, e dhe ekonomike.
Kjo përmbledhje, nënvizojmë, përpiqet të propozojë atë, që është më pak e njohur nga mësimet e Papës, në sa në kuptimin thjesht fetar, mund të japë një ndihmesë të jashtëzakonshme për jetën shpirtërore të besimtarit. Mund ta ndihmojë shumë jo vetëm për të kuptuar vetveten, por edhe vendin, që i takon në botën e madhe, për të cilën ka përgjegjësi çdo njeri, besimtar e jo. Prej këndej, libri paraqet interes të veçantë edhe për ata, që nuk janë pranë Kishës e që nuk e njohin Krishtin







All the contents on this site are copyrighted ©.