2012-07-13 14:34:07

Ish-nxënësit e Papës-Profesor Ratcinger, do të mblidhen përsëri për të diskutuar, sivjet, për temën e ekumenizmit.


Duke vijuar besnikërisht traditën, nisur prej 40 vjetësh, kur ishte profersor i teologjisë në Regensburg, më 1 e 2 shtatorin e ardhshëm, në Kastel Gandolfo, rreth Papës do të mblidhet një grup ish-nxënësish.
Sipas Agjencisë frankofone, në qendër të takimit tradicional veror të ish-nxënësve të Benediktit XVI, mbledhur në shkollën e njohur Ratzinger Schülerkreis, sivjet është tema e ekumenizmit. Në takim do të marrin pjesë rreth 30 ish-nxënës, kryesisht nga vende të gjuhës gjermane, që do t’i kushtohen diskutimit mbi rezultatet e arritura në fushën e ekumenizmit si dhe problemeve ende të pazgjidhura ndërmjet luteranëve dhe anglikanëve.
Si pikë mbështetëse do të jetë libri “Vjelja e fryteve”, botuar në tetor të vitit 2009 nga kardinali gjerman, Valter Kasper, ish-kryetar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve.
Takimet organizohen nga rregulltari salvadorian, Stefan Horn, kryetar i Fondacionit, i cili mban emrin Jozef Racinger- Papa Benedikti XVI, me seli në Munih të Bavarisë. I miratuar më 21 dhjetor 2007 si fondacion civil, punon për përgatitjen e takimit vjetor të ish-nxënësve të Papës, për nxitjen e studimeve të leksioneve të profesorit Racinger, kur vijonte të jepte mësim në universitet, përhapjen e mësimeve të tij të teologjisë e të përshpirtërisë së krishterë si edhe botimin e librave të Benediktit XVI. Objektiva, që përkojnë me ata të fondacionit me të njëjtin emër, themeluar në Vatikan më 1 mars 2010.
Takimi i parë i Papës Racinger me doktorët e përgatitur prej tij si dhe me kandidatët për pedagogë, në periudhën kur jepte mësim në Bon, Munster, Tubingen e Regensburg, ishte ai, që u mbajt pasi u emërua kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës, më 24 mars 1977. Shumë shpejt nisën të organizohen takime vjetore, në të cilat kardinali Racinger mori pjesë rregullisht. Kjo traditë vijoi edhe pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Takimi përsëritet vit për vit, me një temë të veçantë, që e zgjedh vetë Papa, ndërmjet shumë propozimeve të ndryshme paraprake. Tema e zgjedhur për takimin e vitit të kaluar u lidh ngushtë me një takim tjetër të Papës: atë me përfaqësuesit e realiteteve kishtare të impenjuara në veprimtaritë për ungjillëzimin e ri, që u mbajt më 15 e 16 tetorin e kaluar në Vatikan e posaçërisht, me Asamblenë e 13-të të përgjithme të Sinodit të ipeshkvijve, në tetor 2012, pikërisht për të vënë në plan të parë “Rolin e ungjillëzimit të ri në transmetimin e fesë së krishterë”.
Çështja e kumtimit të ri të Ungjillit në mjediset, ku ka prirje të kufizohet ose të harrohet fare, si edhe ajo e ekumenizmit, janë në qendër të vëmendjes së papnisë aktuale. Jemi përballë ndeshjes së dy botëve shpirtërore, botës së fesë e botës së shekullarizmit, pohon Benedikti XVI në librin-intervistë “Drita e botës”. Ne, shton, duhet të punojmë sidomos, që njerëzit ta kenë gjithnjë parasysh Zotin. Duke u nisur nga ata që besojnë në Të, të cilët duhet ta dëshmojnë me gjithë zemër, me të gjitha forcat, në të gjitha mjediset, ku jetojnë e punojnë, edhe atëherë kur ndeshen me murin e indiferencës, ku më pak e presin. E, për ta bindur njeriun e sotëm, i cili bëhet gjithnjë më i çkujdesur e më i pandjeshëm, shton Papa, Kisha ka nevojë për zell të ri, që ta bëjë kumtimin e shëlbimit sa më të frytshëm.
Më 30 majin e kaluar, në mbledhjen e parë plenare të dikasterit për Ungjillëzimin e ri, Benedikti XVI theksoi:
“Sot, për fat të keq, jemi përballë dramës së copëzimit, që nuk krijon mundësi për një pikë bashkuese referimi; vërehet shpesh fenomeni i njerëzve, të cilët dëshirojnë t’i përkasin Kishës, por janë fuqimisht të formuar nga një vizion tjetër, në kundërshtim me fenë. Edhe ai që vijon të mbetet i lidhur me rrënjët e krishtera, por jeton marrëdhëniet e vështira me modernitetin, duhet ta kuptojë se të qenët i krishterë nuk është petk, që vishet vetëm në jetën private ose në raste të posaçme, por është diçka e gjallë e absolute, e aftë për të përvetësuar gjithçka të mirë nga jeta moderne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.