Vijojmë bisedën kushtuar historisë së Koncileve kishtare. Sot flasim për Ilirinë,
ilirët e historinë e trojeve të tyre, ku u mbajtën Koncilet kishtare ilirike, të cilat
do të jenë në qendër të vëmendjes sonë, në bisedat e ardhshme. Në emisionin e
kaluar të RV, folëm për Koncilet e para të Kishës Katolike universale, duke u ndalur
edhe tek termat përkatëse, për të kaluar, në vijim, tek Koncilet e para kishtare Ilirike.
Por, para se t’i përshkruajmë shkurtimisht këto Koncile, nuk mund të mos kujtojmë,
më parë, ç’do të thotë Illyricum dhe Ilirë.Është fjala për tokat e Ballkanit dhe të
Evropës së Mesme që, në Kohën e romakëve njiheshin me emrin Illyricum, emër që e morën
sepse banoheshin nga raca e ilirëve, shumë e përhapur në atë kohë. Mbetjet e tyre
jetojnë edhe sot në skajin jugor të trojeve të gjera, ku shtriheshish në zanafillë
të historisë së tyre, humbur në mugëtirën e kohëve. Populli i vogël, që e quan veten
shqiptar dhe që njihet nga të huajtë si Albanez a Arnaut, ruajti në rrjedhë shekujsh
gjurmët e kësaj lashtësie, kombësinë e gjuhën. Kujtojmë se ilirët u vendosën në
Ballkan në shekullin X para Krishtit, domethënë, shumë kohë para se popujt e Evropës
të fillonin ta shkruanin historinë e tyre. Vetë ilirët, me sa dihet deri më sot, nuk
lanë ndonjë dokument të shkruar. Prej këndej, njoftimet e para mbi zanafillën e tyre
i gjejmë duke shfletuar shkrimet e historianëve grekë e latinë Me që ata u shkruan
disa shekuj pas ardhjes së Ilirëve, rrëfimet e tyre morën ngjyrimin e legjendave
e të miteve greke, më shumë se të historisë. Sipas variantit kryesor, kushtuar
zanafillës së Ilirëve, historia e tyre fillon me Ilirin, birin e Kadmit e të Harmonisë,
që u dëbuan nga Teba e Greqisë. Ravgues nëpër udhët e Ballkanit, ata më në fund zunë
vend në viset, që më pas morën pikërisht emrin e Ilirit: Ilirí. Ndërsa popujt që i
banuan, u quajtën Ilirë. Sipas një varianti tjetër, atij të historianit të lashtë
latin Appian, Iliri ishte biri i Qikllopit Polifem, pikërisht atij, që u verbua nga
Odiseu, dhe i gruas së tij, Galatea. Nga kjo martesë, përveç Ilirit, lindën edhe
dy djem të tjerë, që u quajtën Kelt e Gallat. Këta emigruan drejt Sicilisë dhe u dhanë
emrin dy popujve parahistorikë. Kështu bijtë e Polifemit themeluan Ilirët, Keltët
e Gallatët. Ndërsa vetë Iliri pati gjashtë djem, të cilët, sipas gojëdhënës, themeluan
gjashtë fiset kryesore ilirike: Taulantët, Enkelët, Autariatët, Desaretët, Dardhanët
dhe Partenët. Më pas në skenën e historisë së këtyre trojeve dolën fise të tjera luftarake,
që lanë pas kujtimin e bëmave të tyre historike, të përshkruara nga historianët grekë
e latinë. Ishin: Albanët, Dorsejtë, Japodët, Labeatët, Molosët, Parthinët, Thesprotët,
Pirustët, Japigët, Kaonët, Mesapët, etj. Tek Farlati, autor i veprës munumentale
“Illyricum Sacrum”, (shek XVIII) lexojmë se mbreti i parë i Ilirisë ishte Ylli, i
cili jetoi në shekullin XII para Krishtit. Pasardhësi i tij, Kliniku, mbretëroi në
kohën e luftës së Trojës dhe luftoi përkrah grekëve, duke marrë pjesë në betejat detare
me 72 anije. Bashkësitë fisnore ilire u formuan në shekujt e parë të mijëvjeçarit
të fundit para Krishtit. Në përgjithësi ata zunë vend në trojet e tyre historike.
Ndër fiset më të hershme ilire, që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të
rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë:Thesprotët,
të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit
(Kalama); në veri të tyre vinin Kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet
e dhe gryka e lumit. Molosët banonin në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë luginës
së Vjosës, në të majtë banonin Amantët, ndërsa në të djathtë, Bylinët. Në lindje
të Bylinëve shtrihej territori i Atintanëve. Taulantët shtriheshin në zonën bregdetare
nga Vjosa e deri tek lumi i Matit, ndërsa në veri të tij, përgjatë brigjeve të të
Mesëm, fisi i Ardianëve. Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha
dhe më të rëndësishme ilire: Paionët në luginën e mesme të Vardarit, dhe Dardhanët,
që banonin në rrafshin e Kosovës, të cilët shtriheshin në veri në tokat midis degëve
jugore e perëndimore të Moravës, deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën
e Madhe. Ndërmjet fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor ndër më të fuqishmit
ishin Liburnët, të cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi Krka; në jug
të tyre vinin Dalmatët; kurse në viset e Bosnjës së brendshme, Autariatët. Këto
troje u bënë teatër i lindjes së Krishterimit. Këtu u themelua hjerarkia e lashtë
e Kishës Katolike e u mbajtën edhe Koncilet e para Ilirike, për të cilat do të flasim
në emisionet e ardhshme.