Paqe, përmes rrugës së kthimit e dialogut durimtar: kështu tha Papa në Koncertin,
dhënë nga West-Estern Divan Orchestra
“Për të siguruar paqen, duhet të impenjohemi, duke lënë mënjanë dhunën e armët; të
impenjohemi duke ecur në rrugën e kthesës personale e komunitare, duke dialoguar e
duke kërkuar me durim mirëkuptimet e mundshme”. Është mesazhi i Benediktit XVI, shprehur
mbrëmë në përfundim të koncertit, dhënë nga Orkestra West-Estern Divan, drejtuar nga
mjeshtri Daniel Barenboim. Orkestra, e përbërë nga muzikantë hebrenj, të krishterë
e myslimanë, luajti Simfoninë n. 6 Pastorale dhe Simfoninë n. 5 të Ludwig van Beethoven,
në kornizën sugjestive të Oborrit të Kastel Gandolfos. Të pranishëm edhe presidenti
italian, Giorgio Napolitano me bashkëshorten, të cilët më pas u ndalën për darkë.
Darkuan së bashku me Papën dhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio
Bertone. Notat e Simfonisë së Pestë mbushën plot me tinguj Oborrin e Kastel Gandolfos,
në një mbrëmje magjepsëse vere, me qiell blu, duke krijuar, kështu, atmosferën gazmore
të festës së Shën Benediktit. Papa e priti me kënaqësi këtë orkestër, themeluar 13
vjet më parë nga Mjeshtri Daniel Barenboim dhe i ndjeri Edward Said, me bindjen se
muzika i bashkon njerëzit, duke i ndihmuar të kapërcejnë çdo dallim e përçarje. E
kjo, sepse muzika është harmoni e ndryshimeve: një simfoni, tha Papa, mund të krijohet
nga bashkimi i timbrit të shumë instrumenteve e jo në mënyrë magjike, por falë punës
së palodhur të çdo muzikanti, impenjim që kërkon shumë flijime e, mbi të gjitha, përpjekjen
për ta dëgjuar njëri-tjetrin, duke shmangur protagonizmat e tepruara e duke shikuar
në radhë të parë realizimin me sukses të punës së përbashkët. Prej këndej, Papa kujtoi
një simfoni tjetër, simfoninë e paqes së madhe, të pafundme, ndërmjet popujve. U nis
nga nga një brezni si e tija dhe e prindërve të vetë Mjeshtrit Barenboim, i cili
e jetoi me fund tragjedinë e Luftës II Botërore dhe atë të Shoah: “Është
shumë domethënëse që Ju, Mjeshtër, pasi arritët majat më të larta, që mund të dëshirojë
një muzikant, vutë në jetë një projekt si ky i Orkestrës West-Estern Divan: një grup
në të cilin luajnë së bashku muzikantë izraelitë, palestinezë e arabë nga vende të
ndryshme: njerëz të fesë hebraike, myslimane e të krishterë”. Sesa sukses
ka pasur kjo Orkestër, e dëshmojnë çmimet e shumta, që ka merituar, vijoi akoma Papa,
e jo vetëm për artin e interpretimit muzikor, por edhe, e sidomos, për impenjimin
etik e shpirtëror. Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek kuptimi i thellë i simfonive,
që u luajtën, e Pesta edhe e Gjashta e Beethoven-it, të cilat shprehin dy aspekte
të jetës, dramën dhe paqen, luftën e njeriut kundër fatit kundërshtar e kredhjen në
mjedisin qetësues baritor: “Mesazhi, që dëshiroj të theksoj sot, është: për
të siguruar paqen, duhet të impenjohemi, duke lënë mënjanë dhunën e armët; të impenjohemi
me kthesën personale e komunitare, me dialog, me kërkim durimtar të të gjitha mirëkuptimeve
të mundshme”. Beethowen punoi për këto dy vepra, posaçërisht për përsosjen
e tyre, pothuajse në të njëjtën kohë, kujtoi Papa. Aq e vërtetë është kjo, sa u luajtën
për herë të parë njëherësh, në koncertin e 22 dhjetorit të vitit 1808, në Vjenë, ashtu
si u luajtën edhe në Kastel Gandolfo, nënvizoi Ati i Shenjtë, dhe në përfundim u
uroi të gjithë muzikantëve të Orkestrës ta vijojnë veprën e tyre, duke mbjellur në
botë shpresën e paqes, përmes gjuhës universale të muzikës.Pak para fillimit të koncertit,
në Kopshtin e Arapit, Papa priti presidentin e Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano
me bashkëshorten, që biseduan përzemërisht me Benediktin XVI e, më pas, ndoqën edhe
koncertin, në përfundim të të cilit u ftuan të darkojnë me Atin e Shenjtë. Vijuan,
kështu, bisedën, sa për artin e Beethowen-it e të Orkestrës, aq edhe për artin e kërkimit
të paqes në mbarë botën.