2012-07-12 13:56:55

Dom Simon Jubani, në një vjetorin e vdekjes


Si sot, një vit më parë, më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, prifti që sfidoi regjimin ateist të komunizmit dhe me kremtim të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrëmajit të Shkdorës, më 4 nëntor 1990, sanksionoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Prifti shkodran dom Simon Jubani, qe ndërgjegjja e Kishës dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist: Është një nga njerëzit e meshtarët katolikë shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgjet komuniste duke qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme, të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu mund të pohojmë se pikërisht kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist e ndaloi lirinë fetare dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990 në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtar i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha Katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi e i dha hov fitores së lirisë e fuqi e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Sot pra kujtojmë ditën e kalimit në amshim të dom Simon Jubanit, njërit ndër protagonistet e pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste.

Figurë poliedrike, dom Simoni qe i zgjuar, i qëndrueshëm, vëzhgues i vëmendshëm i realitetit shqiptare: atij kishtar, shoqëror, kulturor e politik. Me temperament të zjarrtë, qe përherë i gatshëm për këdo, hokatar, por edhe mbrojtës i patrembur i të vërtetave të fesë dhe i vlerave ungjillore e atyre kombëtare. Mbylli sytë duke besuar thellësisht se vetëm tek Zoti do të ketë drejtësi e shpërblim. ·
Dom Simon Jubani lindi në Shkodër, me 8 mars 1927 nga prindërit Zef e Çile që kishin një familje katolike të devotshme dhe i falen Kishës e Atdheut dy meshtar: një martir intelektual, dom Lazër Jubani, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982, dhe të guximshmin dom Simon Jubanin. Në moshën 16-vjeçare, i thirrur prej Zotit, hyri në Shkollën Apostolike (Kolegjin Saverian) në Shkodër për t'u bë rregulltar jezuit. Në mars të vitit 1946, kur u shkatërruan të gjitha shkollat katolike tradicionale, i'u deshtë të hynte në Gjimnazin e Shtetit. Në vijim u transferua në Tiranë, ku kryen një kurs radiografie. Punon për pak kohë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Kthehet rishtas në Shkodër dhe ndërkohë punon në radiologjinë e Sanatoriumit të Shkodrës, ndërsa aktivizohej në sport: atletiken e lehtë dhe futbollin. Angazhohet në ekipin e Vllaznisë. Më 4 maj 1958 shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbej në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitin 1963 dhe vuan 26 vite burg. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë katilëve e spiunëve komunistë të burgut të Burrelit, u lirua më 13 prill 1989 bashke me klerikë të tjerë. Dom Simon Jubani është pikërisht ai meshtar që më 4 e 11 nëntor 1990 kremtoi Meshën e parë publike tek Varrezat e Rrmalit në Shkodër duke u bërë nismëtari i rihapjes së Kishës dhe Tempujve të Zotit në Shqipëri. Për këtë kontribut të çmueshëm mbarëkombëtar, që Zoti ia besoi, Universiteti amerikan i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën "Doctor Honoris Causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist i një epoke të re në Shqipni". Pas komunizmit për disa vite shërben përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfystores së Katedrales së Shkodrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.