Sot më 12 korrik 2011 kujtojmë Atë Shtjefën Gjeçovin në përvjetorin e lindjes. Kujtojmë
sot një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, françeskanin
shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin, i cili për kontributin e tij, radhitet përkrah gjenive
të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Budi, imzot Bogdani, imzot Bumçi,
Atë Fishta, Atë Harapi e tjerë. Atë Shtjefën Gjeçovi françeskan i njohur, shkrimtar,
atdhetar e arkeolog i la një kontribut jashtëzakonshëm kombit shqiptar mbi visaret
ma të bukura e ma të lumnueshme, që populli shqiptar ruan tash sa shekuj, si trashëgimi
e kohëve teje të lashta. E sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit, edhe më të
fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do
t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga
Frati i Madh. Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike
që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak
në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan
me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri
modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit
gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të,
duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një
nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. Lindi më 12 korrik
1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia
vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme
zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për
dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskane. Gjeçovi ishte
vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në
Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është
përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta.
Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë. Nisi
të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet
e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte
në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi
i Ungjillit të Krishtit. U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri
me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste,
Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e
mbram! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të
gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi
këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte,
"Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për
të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa". Lista
e veprave të tij është shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter
hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu
Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas
asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun
e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin
për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve,
të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigj Paliqin, martir
i fesë e i atdheut. Po përfundojmë kujtimin e këtij martiri kombëtar, siç
e thërriste edhe “Arbenia” më 21 tetor 1929 duke iu lutur, që ta thotë para Hyjit
atë uratë të bukur (Agimi i Gjytetnìs, pjesa e III. 5), që shkroi për Shqipërinë,
për atdheun e vet të dashur, që aq fort e deshi: “O i bukri i qiellës, qi e
ké në kujdes mà të harrueshmin e qi pertrìn gjithskhkafen, me sy të pervjashem, të
lutem, mos me m’a qitë në harresë atdhén t’èm e atdhetarët e mìj. Shtrije doren e
fuqishme mbì ta, e në kjoftë se u kecenohet ndo’i hyll i pafat, theku në luta e në
vaj t’onë, diku zot, e mos m’i lén m’u màrrun beper kambë".