Duke shfletuar kalendarin historik, më 12 korrik, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së
Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh. Si sot, më 12 korrik 1923 u nda nga jeta,
në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino. De Martino (1830-1923,
nga fshati Greçi i rajonit Pulja, që i ri u nis si misionar në Shkodër, ku luajti
një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në
Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe
në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ
i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por
nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të
mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën
e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet
edhe kryevepra e fratit de Martino. Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund
të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke
harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është
pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E
de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali,
më 12 korrik 1923. I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë
dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale,
shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant
shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso
Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias, botuar në
Trieste më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione
di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale
lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888.
Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar
të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë
për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e
Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe. Emri i tij lidhet
ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti
poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar,
është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.