2012-07-11 11:53:15

Sot më 11 korrik kalendari kujton shën Benediktin, abat


Sot më 11 korrik kalendari, përkujton festën e Shën Benediktit, abat, Pajtor i Evropës. Benedikti, Abati i shenjtë i shekullit VI, themelues i monakizmit perëndimor, lindi në Norça të Italisë rreth vitit 480, në një periudhë historike veçanërisht të vështirë. Katër vjet më parë kishte rënë Perandoria Romake e perëndimit. Biografia e tij na vjen përmes shkrimeve të Shën Gregorit (Gegës) të Madh, që i kushton krejt librin II të Dialogëve, shkruar ndoshta rreth viteve 592-594.
Pasi përfundoi studimet e para në Romë, i neveritur nga shoqëria e kohës e shkelja e vlerave njerëzore dhe etike, braktis çdo gjë dhe tërhiqet në Subiako, ku bën jetë eremiti (oshënari). Të mahnitur nga jeta e tij e shenjtë, disa murgjër, që banonin aty afër, e kërkojnë me këmbëngulje si epror e mësues. Benedikti pranon, por sapo mundohet të korrigjojë mënyrën e tyre të jetesës, jo shumë shembullore, ata përpiqen ta helmojnë, por ai me bekim të shenjës së kryqit e thyen kupën, e kështu shpëton.
Pasi themelon 12 kuvende të vogla, Shën Benedikti largohet nga Subiako dhe shkon drejt jugut, i shoqëruar nga disa dishepuj. Nuk dihet se pse zgjodhi vendin Kasino për të ndërtuar Abacinë, por hipotizohet se e ka ndihmuar ndonjë bamirës patric i kohës. Shën Benedikti përshtat bashkinë e vjetër romake e tempullin pagan, duke i shndërruar në një Abaci për bashkësinë e tij mungare e duke krijuar hapësira për aktivitetet e ndryshme të punës. Edhe në majën e malit, aty ku më parë ishte një korishte pagane, ngrihet një orator në nder të Shën Gjon Pagëzuesit e zona përreth bëhet varrezë. Edhe sot, aty ndodhet varri i Shën Benediktit dhe i motrës së tij, Shën Skolastikës, në korrespondencë me pjesën e poshtme të elterit të madh të Bazilikës.
Bashkë me themelimin e kuvendit të murgjërve, Shën Benedikti shpall Ungjillin për popullsitë që banonin në Kasino. Ky mision edhe sot kryhet nga benedektinët dhe Kasino bashkë me 20 komunat e tij hyjnë në juridiksionin baritor të Abatit të Montekasinos.
Në këtë Abaci, Shën Benedikti përfundon hartimin e Regula monachorum, Rregullës së murgjërve. Janë të shumta mrekullitë që bën, si këtu, si ato të mëparshmet në Subiako. Tregon me vepra se zotëron edhe dhuratën e profecisë. Tradita e vendos vdekjen e tij më 21 mars të vitit 547 e edhe ajo është e mrekullueshme. Gjashtë ditë para se të shkonte te Ati Qiellor, Shën Benedikti u paralajmëron murgjërve vdekjen e tij dhe urdhëron të hapet varri, ku më parë qe varrosur e motra, Shën Skolastika. Pak para vdekjes, u thotë sivëllezërve murgë ta çojnë në oratoriumin e Shën Martinit dhe aty, pasi merr Eukaristinë, jep shpirt.
Shën Benedikti, është atë e ligjdhënës i jetë murgare perëndimore. Ai, siç tregon shën Gregori i Madh, “qe njeri me një jetë të shenjtë....me emër e në saj të hirit”. “Shkroi Rregullën për murgjit...pasqyrë e një mësimi të mishëruar në jetën e tij personale: vërtet shën Benedikti nuk mundi në mënyrën më absolute të mësonte ndryshe nga se siç edhe jetoi”, thotë Shën Gregori.
Më 24 tetor 1964, pikërisht në Montekasino, u shpall Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI, si “lajmëtar i paqes, veprimtar i bashkimit, mësues i qytetërimit e sidomos kumtar i fesë e nismëtar i jetës murgare të Perëndimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.