Një vit i vështirë për Sudanin e Jugut: kështu u shpreh kryeipeshkvi i Juba-s, imzot
Paulino Lukudo, duke fol për Vjetorin e Parë – kremtuar dje më 9 korrik – të pavarësisë
së Sudanit të Jugut nga Khartoumi, duke nënvizuar kënaqësinë e popullsisë për autonominë
e fituar. Në Vend janë mbajtur kremtime zyrtare në praninë e personaliteteve të huaja
por pa përfaqësues të Sudanit të Veriut. Ndërmjet Juba-s e Khartoumit ka ende tensione
të forta. Imzot Lukudo nënvizon rëndësinë e rivendosjes së paqes në një territor ku
ende ekzistojnë zona konflikti e ndeshje në Malet Nuba në Nilin Blu. Pra, që një
vit Afrika ka një Shtet të pavarur më shumë. Në përkim me dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare,
më 9 korrik 2001 lind Sudani i Jugut, i ndarë nga Sudani, me vullnetin e një populli,
që rifitoi lirinë. E kështu nisi një fillim i ri, në fund të një rruge të gjatë: njëzet
vjet luftë civile me veriun, me dy milion të vdekur, parabolë e sanksionuar nga marrëveshjet
e paqes të 2005-sës, që arritën në përfundim të një votimi me referendum mbajtur në
janar 2011, në të cilin jugsudanezët votuan në favor të shkëputjes nga pjesa tjetër
e vendit. Selia e Shenjtë e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces të gjatë e të vështirë,
duke jetuar shpirtërisht pranë popullsive të vuajtura të kësaj toke të martirizuar,
që tani po rikthehet në jetë. Rijeton, por pas viteve të tmerrshme të dhunës, urrejtjes,
urisë, etjes, vrasjeve, bombave, mundimeve të të gjitha natyrave. Sudani i Jugut,
nuk e ka, prandaj, krejt të lehtë këtë fillim, sepse e kaluara nuk shlyhet aq shpejt
nga mendjet e nga zemrat. Udhë e gjatë, e vështirë, që na kujton se Selia e Shenjtë,
e posaçërisht Gjon Pali II, e ndoqën hap pas hapi popullin e stërmunduar, që sot,
më në fund, është i lirë e i pavarur. Një Vit më parë, lindi një nga vendet më
të varfra të botës, të cilit do t’i duhet të përballojë probleme tepër të vështira
për unitetin e vet të brendshëm, por banorët e tij shpresojnë – e ne të gjithë me
ta – se do t’ia dalin mbanesh të ndërtojnë një ardhmëri me liri, paqe e prosperitet.
Gjallëria e jashtëzakonshme e popullit jugsudanez nuk ka shteruar. Veç ka nevojë për
solidaritet konkret e të fuqishëm, ndërkombëtar e kishtar, që të mund të lulëzojë
përsëri. Urojmë të mos i mungoj.