Më 9 korrik 1995 trupat serbo boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç hynin
në enklavën myslimane të Srebrenicës, zonë e deklaruar e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara. Më 11 korrik u vranë me mijëra civilë, e brenda pak ditësh
deri më 18 korrik të njëjtit vit, u ekzekutuan mizorisht rreth 8000 meshkuj myslimanë.
Një masakër për çka ende nuk ka dënime konkrete dhe lista e viktimave është ende e
paplotësuar, që mendohet të jenë afër 8300 persona. Masakra e vitit 1995 në zonën
e mbrojtur nga OKB të Srebrenicës ishte krimi më i rëndë në Evropë që prej fundit
të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësi kryesor për të, ish-drejtuesi ushtarak i serbëve
të Bosnjës, Ratko Mlladiç, për të cilin sot në Hagë, rifilloi gjyqi pasi qe pezulluar
më 17 maj. Mes 11 deri më 18 korrik të vitit 1995, trupat serbe që urdhëroheshin
nga gjenerali Mlladiç, hynë në qytetin e Srebrenicës dhe masakruan popullsinë myslimane.
Kur ushtarët e Republika Srpska (RS) hynë në qytet, më shumë se 40.000 banorë u strehuan
në bazën e OKB në Potocari, që ndodhej në veri të Srebrenicës. Rreth 7.000 persona
arritën të hynin në zonën e bazës, që drejtohej nga rreth 100 paqeruajtës holandezë,
të cilët duhet të mbronin qytetin dhe, siç ishte deklaruar nga OKB-ja, zonën e mbrojtur.
Të tjerët mbetën jashtë bazës. Pas ardhjes së ushtarëve serbë të Bosnjës, paqeruajtësit
nuk ndërhynë fare, ndërkohë që Mlladiç i ndau burrat nga gratë e fëmijët dhe pastaj
i internoi. Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe sipas akuzës së Gjykatës Penale
Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë, burrat dhe të rinjtë myslimanë u ekzekutuan
me gjakftohtësi, ndërsa trupat e tyre pastaj u varrosën nëpër varreza masive. Me mijëra
civilë u arratisën në qendrat e banuara përreth Srebrenicës. Njësitë e ushtrisë
së RS filluan një operacion të madh “gjuetie” dhe kapën me mijëra boshnjakë të arratisur.
Pas kësaj u radhitën grupe me nga 200-300 civilë dhe u ekzekutuan me breshëri kallashnikovësh.
“Më 16 korrik, brenda vetëm katër orësh ekzekutuam 1200 civilë”, - do të deklaronte
më vonë Drazen Erdemovic para TPI. Atë kohë, Abid Efendiq ishte 54-vjeçar dhe ishte
strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë. Edhe ai, njësoj si shumë të tjerë, iu
dorëzua njerëzve të Mlladiçit. Arriti të shpëtonte, sepse me fytyrën e tij plot rrudha
dukej si të ishte 70-vjeçar. “Pashë me dhjetëra burra të therur në një arë gruri,
pashë koka të prera, vajza të përdhunuara nga dhjetëra ushtarë...”, - dëshmon ai.
“Na thërrisnin: ‘Myslimanë, ditë të zeza kanë ardhur për ju! Nuk është më Titoja që
t’ju mbrojë!’” - shton ai. Urdhri për ekzekutimin e meshkujve myslimanë nënkuptonte
përfshirjen e të gjithë meshkujve mbi 12-vjeçarë. Presidenti i atëhershëm i serbëve
të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Mlladiç, pas masakrës së Srebrenicës arritën
të pushtonin mbi 60 për qind të Bosnjës. Por ishte pikërisht kjo masakër që e
bindi presidentin amerikan, Bill Klinton të ndërhynte në Bosnje, pasi Evropa për tri
vjet vetëm po vëzhgonte, e shmangur dhe e ndarë, një tragjedi që po i ndodhte në prag
të shtëpisë. Pas disa muajsh, Washingtoni arriti në tavolinën e Dejtonit t’i ulte
boshnjakët, kroatët dhe serbët, megjithëse rezultati i këtij takimi u kufizua vetëm
me krijimin e një ndarjeje etnike, gjegjësisht me krijimin e një shteti të ndarë në
dy etni, në Republika Srpska - që sot përfshin edhe Srebrenicën - dhe në Federatën
Kroato-Myslimane. Tragjedi e Srebrenicës, e jo vetëm ajo, rëndon në ndërgjegjen e
komunitetit ndërkombëtar.