2012-07-07 14:53:08

Atë Lombardi: Papa na kujton fuqinë përtëritëse të Koncilit II të Vatikanit.


“Dua të pohoi me forcë e vullnet të prerë se vazhdoj në impenjimin e zbatimit të Koncilit Ekumenik të Dytë të Vatikanit”: kështu pat pohuar Benedikti XVI në Meshën e parë të Papnisë, më 20 prill 2005 në Kapelën Sikstine në Vatikan. Një vullnet të cilin Ati i Shenjtë Ratcinger e ka konfirmuar me forcë gjatë këtyre shtatë viteve të Papnisë së tij. Mbi kujtesën e gjallë të Koncilit, shkruan atë Federiko Lombardi në editorialin javor “Octava dies”.
Të hënën më 9 korrik Papa bënë një vizitë të shkurt në shtëpinë e Verebitëve në Nemi, jo vetëm për të përshëndetur Eprorët e pjesëmarrësit e Kapitullit të përgjithshëm të institutit të tyre të njohur rregulltar misionar, por edhe pse në atë vend më 1965 ai – teolog i ri ekspert i Koncilit – pat marrë pjesë në mbledhjet dhe thellimin e të përpilimit të teksteve, në atmosferën e gjallë e të frytshme të studimit, debatit e lutjes që shoqëronin e përgatisnin mbledhjet plenare të Etërve kishtar në Shën Pjetër në Vatikan, në punimet e Koncilit.
Ditëve të kaluara, në një intervistë të bukur, kardinali Tucci evokonte punën e ngjashme zhvilluar në Ariccia për përgatitjen e Kushtetutës “Gaudium et spes” mbi Kishën në botën bashkëkohore, me pjesëmarrjen aktive të ipeshkvit të ri Wojtila, ndërhyrjet e të cilit kanë kontribuar në formulimin e frazës së famshme: “Vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar gjendet drita e vërtetë e misterit të njeriut” (n.22), e cila, jo rastësisht, do të ishte ndër më të cituarat nga Gjon Pali II. Duket që pjesëmarrësit e Koncilit që janë akoma në jetë, pra gjallë, janë afër tridhjetë, ndërmjet Etërve dhe ekspertëve, e dëshmitë e tyre nxisin një valë emocionesh në atë që, sikur ne – edhe pse jo të përfshirë drejtpërsëdrejti – e kujtonë mirë atë kohë të jashtëzakonshme të zellit, entuziazmit e shpresës. Urojmë pra që 50 vjetori i Koncilit që po përgatitemi ta kremtojmë në tetor, të jetë rast i volitshëm për t’u lidhur në mënyrë jetike me atë atmosferë dëgjimi të Shpirtit, kështu që edhe rileximi i sotëm i teksteve të ndodhë në linjën e “hermeneutikës së reformës, të ripërtëritjes në vazhdimësi me të vetmin subjekt - Kishën që Zoti na ka dhuruar, që rritet në kohë e zhvillohet, por duke mbetur përherë e njëjtë, i vetmi subjekt i Popullit të Zotit në udhëtim” ( Fjalimi drejtuar Kuries romake, 22.12.2005). Kështu na këshillon Jozef Ratcinger, dëshmitar i privilegjuar e i besueshëm, asokohe ekspert konciliar e sot Papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.