2012-07-06 13:44:17

Thomas More dhe fuqia e ndërgjegjes


Më 6 korrik të 1535, pas gati tre muajsh burgimi, Henriku VIII, mbret i Anglisë, urdhëron ekzekutimin e Thomas More. Akuza ishte tradhtimi ndaj sovranit nga ana e atij që për vite të tëra kishte qenë këshilltari më i çmuar i vet mbretit. Në të vërtetë,është koherenca e besnikëria ndaj vlerave të krishtera që çojnë Thomas More në podiumin e ekzekutimit me vdekje, sepse refuzoi të pranonte e miratonte divorcin e Henrikut VIII nga gruaja e tij Katerina e Aragonës dhe martesën e tij me Ana Bolenën; ky veprim do ta çonte mbretin anglez edhe drejt shkëputjes nga Kisha e Romës.
“Ah, sikur ta dije Margaret sa net e net të pagjuma kam kaluar (...) duke përsëritur në mend të gjitha rreziqet që mund të më kanoseshin(...) Dhe ndërsa mendoja, vogëlushja e ime, e ndjeja shpirtin të më ndrydhej nga ankthi. E megjithatë falënderoj Zotin, që pavarësisht nga të gjitha këto, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend të tërhiqem nga synimi i im, edhe sikur të më ndodhte gjëja më e keqe”.
Thomas More është i kthjellët pavarësisht frikës që e mundon ndërsa është në burg dhe i shkruan së bijës duke menduar për fatin e vet që nuk ndjell asgjë të mirë nga ana e mbretit, një herë e një kohë mik, atëherë kur shpëtimi duket një utopi e pamundur. Një përmbysje e papritur e fatit: nga Lord kancelar në një tradhtar të përbuzur, në Londrën që përjetonte divorcin e dyfishtë të sovranit, nga gruaja që nuk po i jepte trashëgimtarin aq të kërkuar, dhe nga Papa i Romës, që nuk ka ndërmend ta pranojë atë divorc të mbretit. Megjithatë, edhe në zymtësinë fatkeqe të Kullës së Londrës, Thomas More mbetet ai i krishterë që ka qenë gjithnjë. Nëse ishte ai që e bëri Henrikun VIII të fitonte titullin e “Mbrojtësit të krishterimit” në luftën kundër Luterit dhe valës gjithnjë në rritje të protestantizmit, ishte po ai që dha dorëheqjen më 16 maj 1532 nga detyra e Lordit kancelar, kur sovrani anglez, pasi nuk mori anulimin e martesës nga Papa Klementi VII, vendosi ta marrë vetë kryesinë e Kishës angleze duke u shkëputur atë nga Roma.
Në realitet, “Thomas More ke qenë përherë besnik në dashurinë e tij ndaj mbretit”, siç pohoi në një konferencë mbajtur në Romë, e cituar nga gazeta Osservatore Romano e 7 korrikut 2010, kryeipeshkvi Jean-Louis Bruguès sekretar i Kongregatës së Vatikanit për Edukimin Katolik. Pastaj “një ditë, këto besnikëri - vërejti prelati - u gjenden në kundërshtim me një besnikëri që More e vlerësonte dhe konsideronte si më të lartë, besnikërinë ndaj ndërgjegjes personale. Fjala ndërgjegje duket për 17 herë me radhë në shkrimin e tij të fundit në formë testamenti. Për një të krishterë, ndërgjegjja nuk është vetëm vendi intim e i thellë ku njeriu vendos me vetveten para se të marr ndonjë vendim moral; ajo është lartësim i të qenurit njeri që i mundëson çdonjërit të gjykoi e të vlerësoi me ndërgjegjen e vet Hyjit”.
Edhe sot, 367 vjet pas vdekjes të atij 6 korriku, kur koherenca e Thomas More këputet e ndalet nga goditja e një shpate, sot “rreziku nuk është më i vogël” se ia i asaj kohe. Në shoqëritë bashkëkohore përherë më të shekullarizuar, ku hipoteza e çfarëdo trashendence përjashtohet në zgjedhjet e në përcaktimet kolektive, ekziston rreziku i madh të besohet përsëri se nuk ekziston asgjë përmbi ligjet e qytetit apo të shtetit. Pretendimi i përhershëm i Shtetit ka qenë pikërisht ky: ti nënshkroi autoritetet morale, apo të bëjë të heshtin, për t’i dhënë vetes autoritetin moral absolut. Krishterimi beson të kundërtën: dinjiteti i njeriut i këshillon çdonjërit të ndjek ndërgjegjen personale deri në fund të fundit. E sipas Thomas More, në çdonjërin prej nesh ekziston një organ i mrekullueshëm që na bën më të mëdhenj e të jemi mbi ligjet politike. Është pikërisht ky organ që na bënë të jemi qenie të lira, ndërgjegja.







All the contents on this site are copyrighted ©.