2012-07-06 15:44:25

Pritja në Lindje të Mesme për vizitën e Papës Benediktit XVI në Liban


Në mbarë Tokën e Shenjtë dhe në Lindjen e Mesme, udhëtimi apostolik i Papës në Liban në shtator të ardhshëm, pritet me padurim e gëzim të madh. Një pritje që filloj të rritet edhe më tej me shpalljen e programit të vizitës papnore, të martën e kaluar. Mbi rëndësinë që kjo ngjarje përfaqëson për të gjithë të krishterët e rajonit mesdhetar, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet eprori i Rojtarisë së Tokës së Shenjtë, françeskani atë Pierbattista Pizzaballa.

“Këtu, në Tokën e Shenjtë, pritja për vizitën e Papës është tejet e madhe. Menjëherë na kanë ardhur jashtëzakonisht shumë kërkesa për pjesëmarrje. E dimë që – për shkak të situatës politike – nuk do të jetë lehtë të merren vizat. Libani, për mbarë Lindjen e Mesme të krishterë, është pik referimi shumë e rëndësishme nga pikëpamja kulturore, por edhe për gjallërinë e vet Kishës. Për këtë arsye të gjithë duan të jenë të pranishëm. Asambleja e priftërinjve famullitarë, kryesuar nga Patrikut i Jerusalemit, ka vendosur që viti i ardhshëm baritor do t’i kushtohet pikërisht studimit dhe leximit në të gjitha kishat famullitare, të dokumentit të ‘Këshillimit pas-sinodal’ për Lindjen e Mesme, të cilin dokument Papa do ta prezantojë me rastin e vizitës së tij të ardhshme. Kështu, tashmë ka filluar përgatitja dhe pritja e madhe.

Sigurisht që pritet shumë nga ky dokument ‘Këshillim’ pas një Sinodi kaq të rëndësishëm, siç ishte ai për Lindjen e Mesme mbajtur para dy vjetësh në Vatikan…

Po, do të jenë përfundimet e Sinodit, por do të ketë edhe aspekte konkrete të veprimit: linja udhërrëfyese që Ati i Shenjtë do të na i japë, udhëzime, fusha të veprimit, por edhe drejtimi apo udha që Kishat e Lindjes së Mesme duhet të ndjekin e përshkojnë në vitet e ardhshme, të cilat, siç e dimë të gjithë, janë në një fazë shumë të rëndësishme kalimi.

Gjatë vizitës së tij në Liban, Benedikti XVI do të takojë edhe krerët fetar të bashkësisë islame. Takim ky është me rëndësi të madhe, duke kujtuar edhe dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Lindje të Mesme…

Sigurisht, një ndër temat e rëndësishme të Sinodit kushtuar Lindjes së Mesme, ka qenë pikërisht marrëdhënia me islamin. Kishat e Lindjes së Mesme kanë shumë për të thënë mbi këtë marrëdhënie, dhe e ardhmja e tyre qëndron pikërisht në aftësinë e kultivimit të marrëdhënieve të qeta e të qarta me islamin e Lindjes së Mesme, i cili edhe ia vet është në kohën e ndryshimeve të mëdha, në periudhën e shndërrimeve të mëdha. Do të jetë një ndër takimet më të rëndësishme, e edhe një ndër udhëzimet më relevante që Papa do të na japë për të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.