2012-07-06 09:10:53

Më 6 korrik kalendari kujton shën Maria Goretit


Duke shfletuar kalendarin e 6 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën e Shën Maria Goretit, virgjër e martire. Maria Tereza Goreti, ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja vajzë e cila parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të pambrojtura. E kush mund ta kuptojë më mirë këtë shprehje, se vajzat e kohëve tona, të detyruara siç janë për të shkuar edhe në shkollë në shoqërinë e prindërve, sepsè gjithnjë përballë rrezikut të dhunës e të rrëmbimit?
Po prindërit e Marietës nuk mundën ta mbronin....
Shkaku për të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm sepsè u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhrit hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Serenelli, kur ai deshi të përdorte dhunën.
Familja Goreti, me origjinë nga Corinaldo, në provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg Netunos, aty nga fundi i shekullit XIX. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë ndër ara, u strehuan në një shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit, më të vegjël se ajo. Ishte vetëm dhjetë vjeçe, kur i vdiq i ati, i sëmurë nga malarja. Kështu s’ëmës, Asuntës, iu desh të punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën. E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezërve. Kur kishte sadopak kohë të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin. E kështu mundi të merrte kungimin e parë.
Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën e vogël (e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me thikë. E mbartur në spitalin e Netunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin me fjalët: “Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data 6 korrik e vitit 1902.
I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër Serenelli u lirua pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e vogël e që atë çast jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.







All the contents on this site are copyrighted ©.