3. Koncili i Jerusalemit, parë nga Benedikti XVI Benedikti XVI në audiencën
e përgjithshme kushtuar Shën Palit, më 1 tetor të vitit 2008, u ndalua posaçërisht
tek Koncili i Jerusalemit, si çast vendimtar për jetën e Kishës në fasha, objekt i
emisionit tonë të kaluar, duke kujtuar se në të gjithë historinë e Kishës Krishterimi
nuk ka qenë liri për të bërë si të duash, por liri për të pranuar Ungjillin e për
t’i shërbyer. Në Kishë ekzistojnë karizma të ndryshme, por më e rëndësishmja është
që çdo i krishterë t’i qëndrojë besnik së vërtetës së Ungjillit e të vihet në shërbim
të të varfërve, me atë çiltërsi e liri, që ishin tipike për bashkësitë e para të krishtera.
Papa ndalohet tek dy çaste-kyçe të jetës së Shën Palit: Koncili i Jerusalemit dhe
i ashtuquajturi ‘aksidenti i Antiokisë’. Është një fjalë, në përvojën njerëzore,
që hap gjithnjë horizonte të pakufishme e që merr kuptime edhe më të thella, në dritën
e mesazhit të Krishtit. Kjo fjalë e bekuar është ‘liria’. Liria, ashtu si kuptohej
në kohët e largëta, kur u mblodh Koncili i Jerusalemit, e si kuptohet në çdo kohë,
ka karakteristika të mirëpërcaktuara. Lind nga Shpirti Shenjt, përkon plotësisht me
të vërtetën e Ungjillit e nuk i harron kurrë të varfrit. Dy episodet ndriçojnë plotësisht
mënyrën si e kuptonte Pali ‘Ungjillin e lirisë, të parë në lidhje me ligjin”. Kur,
aty rreth vitit 50, Dymbëdhjetë Apostujt e edhe Pali u mblodhën në Jerusalem për Koncilin
e parë në historinë e Kishës, u paraqit çështja, që kërkonte sqarim të ngutshëm: paganët
e kthyer në krishterim duhet t’i nënshtroheshin apo jo Ligjit të Moisiut e, prej këndej,
edhe rrethprerjes, ashtu si të krishterët që vinin nga hebraizmi? Pali, personifikim
i apostullit ndërmjet paganëve, nuk ka asnjë dyshim. Në dritën e takimit me Krishtin
e ngjallur, ai kishte kuptuar se në çastin e kalimit tek Ungjilli i Krishtit, nuk
ishte më e nevojshme që paganët të rrethpriteshin, t’u nënshtroheshin rregullave që
kishin të bënin me ushqimin e me të shtunën, për t’u dalluar si të drejtë: Krishti
është drejtësia jonë, prandaj është ‘e drejtë’ gjithçka përkon me Të. Nuk është nevoja
për shenja të tjera dalluese, që të jesh i drejtë. Por, na kujton Benedikti XVI,
liria e krishterë nuk mund të identifikohet kurrë me liberalizmin apo shthurjen e
as me dëshirën për të bërë si të duash; ajo realizohet në përkim me Krishtin e, prej
këndej, në shërbimin ndaj vëllezërve, sidomos të atyre që kanë më shumë nevojë. Mbledhja
e lëmoshave, si formë e ndihmës për të varfrit, kujton Papa, ishte tipike për të gjitha
Kishat që ndoqën porositë e Koncilit të Jerusalemit: nuk ishte e detyrueshme, por
e lirë, e vetvetishme, dëshmi që tregon se dashuria për të varfrit e kulti i brendshëm
i Kishës shkojnë krah për krah. Ishte fjala për një nismë krejt të re në panoramën
e veprimtarive fetare (…). Mbledhja e lëmoshës shprehte detyrimin e bashkësive për
Kishën e tyre nënë të Palestinës, nga e cila kishin marrë dhuratën e parrëfyeshme
të Ungjillit. Aq e madhe është vlera që i jep Pali këtij gjesti të ndarjes së përbashkët
të pasurisë, sa rrallë herë e quan thjeshtë ‘lëmoshë’: për të ky është ‘shërbim’,
‘bekim’, ‘dashuri’, ‘hir’, madje ‘liturgji”. Edhe në rastin e dytë, është përsëri
ligji i Moisiut ai që kushtëzon sjelljen e Kryetarit të Apostujve. Pjetri, vëren Benedikti
XVI, për të mos i shkandulluar të krishterët, që ndiqnin rregullat e pastërtisë së
ushqimit, nisi të mos hajë më me paganët. Pali i kundërvihet me çiltërsi, duke e
akuzuar Pjetrin për hipokrizi. Në të vërtetë Pali e Pjetri nuk kishin të njëjtat shqetësime
e ngjarja e Antiokisë është një mësim që duhet ta nxëmë të gjithë. Me karizmat
e ndryshme, që iu besuan Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga
Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në
Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë
më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu
mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin.
Papa e quan ‘ngjarje e Shpirtit Shenjt’ koncilin e Jerusalemit, si dhe çdo koncil
e çdo sinod të Kishës!