2012-07-03 14:44:00

Papa transferohet pasdite nga Vatikani në Kastel Gandolfo.


Benedikti XVI kalon nga Vatikani në selinë papnore në Kastel Gandolfo, ku do të kalon periudhën verore. Benedikti XVI arriti sot pasdite në Pallatin Apostolik në Kastel Gandolfo për t’i kaluar muajt e ardhshëm larg ceremonive, audiencave e pritjeve zyrtare, duke iu përkushtuar pushimeve, me përjashtim të kremtimit të Lutjeve të Engjëllit të Tënzot të dielave. Pushimet verore si kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për pasurimin shpirtëror përmes meditimeve e lutjes, janë përmendur disa herë nga Benedikti XVI gjatë këtyre viteve të papnisë së tij.

Ndërprite çdo punë e angazhim tjetër, hidhe tutje orën, harroji kolegët e ndoshta edhe familjarët. Dhe mbi të gjitha zbavitu sepse e nesërmja është e sigurt, me fjalë të tjera, se padyshim, pa kaluar mirë dy – tri javë, ritmi i zakonshëm i punës dhe i familjes do të rifillojë. Kur për një njeri arrin çasti i shumëpritur i pushimit dhe mund të ndërpresë ritmin e zakonshëm të jetës e të përgjegjësive të përditshme, atëherë shfaqet edhe prirja për të hequr nga shpatullat atë që e mban të lidhur pikërisht me këto përgjegjësi. Në kosh, vendi i punës, njerëzit për të krijuar një hapësirë që duhet mbushur pastaj me kënaqësi, me pushim, me çlodhje.

Te kjo dëshirë e kuptueshme dhe e drejtë njerëzore, - kujton Papa Racinger, - një i krishterë duhet të gjejë jo vetëm dëfrimet, jo vetëm pushimin e trupit por edhe pushimin e shpirtit. Madje, mbi të gjitha pushimin e shpirtit e të zemrës. Këto pushime vjetore, na ka kujtuar disa herë Benedikti XVI, duhet të na shërbejnë për të krijuar hapësirë brenda nesh, hapësirë shpirtërore që pastaj këtë hapësirë ta mbushim me Zotin, e kur bekimi i Hyjit është në ne, atëherë kemi gjithçka na lypet në jetë.

“Çdo i krishterë i mirë e di se pushimet janë një kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin dhe për të ushqyer shpirtin nëpërmjet lutjeve të zgjeruara dhe të meditimit, që pastaj të rritet në një lidhje personale me Krishtin dhe të bëhet një gjithmonë e më shumë me mësimet e Tij. (15 korrik 2007)

“Të mos ta harrojmë Hyjin gjatë pushimeve”, përsëriste Papa Racinger në Lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot të korrikut 2009 e këtë e kujtoi edhe të dielën e kaluar më 1 korrik 2012. Ja vlen të krijosh një hapësirë për reflektim që të futemi më thellë në vetvete, ndryshe nga ajo që bëhet në pushime të zakonshme, sepse në këtë mënyrë të pushon shpirti.

“Duke pasur më shumë kohë të lirë në dispozicion, atëherë mund t’i përkushtohesh më me qetësi dialogut me Zotin, meditimit të Biblës dhe leximit të ndonjë libri të dobishëm. Kush e provon këtë pushim të shpirtit e di se sa e dobishme është për jetën e përditshme që pushimet të mos kthehen vetëm në kohë zbavitjeje dhe dëfrimi.” ( BXVI 13 gusht 2006)

Që mali me atë qetësinë, pyjet e shkëmbinjtë e tij të ndihmon më shumë se sa peizazhe të tjera në këtë proces të pushimit të shpirtit, Papa Ratcinger e ka përsëritur shumë herë duke e dëshmuar këtë me shkuarjen e tij në alpe për disa ditë pushime. Në 2005 gjatë qëndrimit të tij të parë në Lë Kombë, pati thënë se si “në kontakt me natyrën e tij, njeriu gjen vetveten,” duke u bërë “...i aftë për Zotin sepse në brendësi të zemrës i hapet Amshimit. I shtyrë nga nevoja për t’i dhënë kuptim jetës, njeriu dallon në botën përreth gjurmët e mirësisë dhe të Provanisë Hyjnore e i hapet në mënyrë të natyrshme uratës dhe lavdeve drejtuar Zotit, duke e shquar me të vërtetë pasqyrimin e bukurisë dhe të mirësisë së Krijuesit.” ( BXVI 17 korrik 2005)

Vijnë pastaj edhe marrëdhëniet njerëzore. Janë të shumtë njerëzit për të cilët fjala “pushime” shkon bashkë me fjalën “aventura”, si ikje nga realiteti i përditshëm, nganjëherë të vetmuar dhe “të shkëputur” nga lidhjet e zakonshme, për t’u ngazëllyer sadopak përpara se të bëhesh hi e pluhur përgjithmonë. Por për një të krishterë nuk është aspak kështu, pohon Benedikti XVI.

“Pushimet janë një (...) mundësi e çmuar për të ndenjur më shumë me familjarët, për t’u takuar më shumë me miq e të afërm, me një fjalë për t’i dhënë më shumë peshë kontakteve njerëzore të cilat, ritmi i punës së përditshme nuk na lejon t’i mbajmë si do të dëshironim.” ( BXVI 13 gusht 2006)

Dhe ndonëse jemi të rrethuar me miq e të njohur me të cilët mund të kalojmë pushimet, le ta çojmë mendjen edhe tek ata që janë të shtrënguar të kalojnë në vetmi jo vetëm pushimet por edhe jetën, për shkak të sëmundjes apo thjesht pse janë të moshuar e kërkojnë qoftë edhe për një çast të vetëm një fytyrë a një buzëqeshje njerëzore, pse këto janë pushimet e tyre. Në fund pastaj janë edhe ata njerëz që nuk kanë mundësi të shkojnë kund me pushime, për arsye të ndryshme. “Të dashur vëllezër e motra, thotë Papa, përshëndetja ime është për ju me urimin që të mos ju mungojë kurrë solidariteti e as afërsia e të dashurve të tuaj”. ( BXVI1 korrik 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.