2012-07-03 14:40:47

Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem shpallet nga Unesco trashëgimi e thesarit kulturor të njerëzimit


UNESCO me datën 28 qershor, me procedurë urgjente, ka përfshirë Kishën e Lindjes së Jezusit në Betlehem ndër vendet e trashëgimisë së thesarit kulturor të njerëzimit mbarë. Vendimi i marr në San Pjeterburg me 13 vota në favor, 6 kundër e 2 abstenime u prit me një duartrokitje të gjatë nga delegacioni palestinez, por edhe nga kritika izraelite e cila e quajti vendimin “krejtësisht politik”. Zhgënjim i thellë u shpreh nga SHBA-së. Kujtojmë se qyteti i vjetër i Betlehemit me Bazilikën e Lindjes së Krishtit është siti i parë i Autoritetit kombëtar palestinez, që hyri në Unesco nga 2011, për t’u shpall thesar i trashëgimisë së Njerëzimit.
Duhet përmendur pra se nuk është vetëm Bazilika e Lindjes së Krishtit por i tërë qyteti i vjetër i Betlehemit, që u shpall nga Unesco pasuri kulturore e njerëzimit. Presidenti palestinez, Abu Mazen, kohë më parë, pat siguruar që nuk do të preken të drejtat e Kishave, të drejtat e pronësisë si edhe ato të udhëheqjes e të administrimit. Kishat ortodokse, katolike e armene patën shpreh disa shqetësime lidhur me këtë, po ato tani janë të kënaqura e vlerësojnë Autoritetin palestinez për këtë arritje duke uruar e shpresuar që Vendet e shenjta të vazhdojnë të mbesin të përjashtuara nga çfarëdo aktiviteti që nuk është i lidhur me vendin e kultit dhe vendin e shenjtë. Vendet e kultit e të shenjta duhet të mbesin jashtë çështjeve politike lokale, pohon rojtari i Tokës së Shenjtë, françeskani atë Pierbattista Pizzaballa, i cili vlerëson faktin që Kisha e Lindjes së Krishtit në Betlehem ka fituar këtë emërtim e vlerësim të lartë, por nuk duhet të ketë asnjë ndryshim tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.