Papa me 4 tetor në Loreto për t’ia besuar momentet dhe ngjarjet e rëndësishme të Kishës
Virgjërës Mari
Më 4 tetorin e ardhshëm, Papa Benedikti XVI do të shtegtojë në Loreto të Italisë,
pranë Shenjtërores së Zojës së Bekuar, për t’ia besuar Virgjërës Mari rezultatet e
sinodit të ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin e Ri dhe Vitin e Fesë. Në Shenjtëroren e
Zojës në Loreto, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger dëshiron të përkujton skenën e Çenakullit
kur Virgjëra Mari lutej pranë Apostujve që po përgatiteshin për fillimin e misionit
të tyre. Sipas kryeipeshkvit përgjegjës të Shenjtërores lauretane, imzot Giovanni
Tonucci, kjo vizitë papnore pasqyron një vlerë të jashtëzakonshme kishtare e shpirtërore,
edhe pse ky shtegtim bie 50 vjet pas vizitës së Papës Gjonit XIII bërë në Loreto në
vigjilje të Koncilit të II të Vatikanit. E s’ka dyshim që shtegtimi i Papës Benediktit
XVI në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto, si përherë, bëhet në momentet themelore
të Kishës, duke iu drejtuar Marisë për t’i kërkuar pikërisht Asaj t’i shoqërojë e
ndihmojë besimtarët e Kishën mbarë në udhën e fesë. Kështu Papa Jozef Ratcinger do
të tërheqë vëmendjen e mbarë Kishës duke ftuar të reflekton mbi punët e veprimtaritë
që janë bërë që nga Koncili II i Vatikanit e gjatë këtyre 50 vjetëve deri në ditët
tona, pastaj mbi rezultatet e Sinodit të ardhshëm dhe Vitin e Fesë që do të përurohet
pikërisht në tetorin e ardhshëm.