2012-07-02 14:11:45

Papa emëron imzot Gerhard Ludwig Muller prefekt të ri të Kongregatës për Doktrinën e Fesë.


Papa Benedikti XVI emëroi imzot Gerhard Ludwog Muller, deri më tani ipeshkëv i Regensburgut, prefekt të ri të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë si dhe president të Komisionit Papnor “Ecclesia Dei”, të Komisionit Papnor Biblik e të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar. Prelati Gjerman, që njëkohësisht me këtë emërim u lartua në dinjitetin e kryeipeshkvit, në detyrat e përmendura zëvendëson kardinalin amerikan William Joseph Levada, i cili le detyrën për arsye të moshës. Imzot Muller ka lindur para 64 vjetësh në Meinz të Gjermaninë. Shugurohet meshtar 30 vjeç e ipeshkëv 52 vjeç, për 16 vjet ka qenë profesor i rregullt i teologjisë Dogmatike pranë Universitetit Ludwig-Maximilian të Munihut të Bavarisë. Si ipeshkëv i dioqezës gjermane të Regensburgut e anëtar i Konferencës ipeshkvnore gjermane është marrë posaçërisht me ungjillëzimin e ri dhe ekumenizmin, duke promovuar apostullatin e besimtarëve laikë e projektet humanitare për Vende të varfra të botës. Motoja e tij ipeshkvnore është “Dominus Jesus”, do të thotë “Jezusi është Zotëri”, marr nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.