Më 2 korrik kalendari kujton shën Bernardin Realino
Më 2 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin Realino, rregulltar jezuit.
Qyteti i Leçes, në Itali, ka një veçori dalluese: Pajtorin e vet e zgjodhi jo vetëm
para se të shpallej zyrtarisht shenjt nga Kisha, por madje edhe para se të vdiste,
më 2 korrik të vitit 1616. E kemi fjalën për Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit.
Kur po jepte shpirt, këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur me ngut, i shkoi tek shtrati
i vdekjes e iu lut të bëhej Pajtor i qytetit. Banorët e Leçes e bënë këtë, sepse
druheshin se pas vdekjes, njeriu i jashtëzakonshëm, që kishte banuar në qytetin e
tyre, duke lënë gjurmë të ndritura shenjtërie e duke tërhequr me shembullin e tij
mijëra nxënës, mund të shpallej pajtor i Karpit, ku kishte lindur më 1 dhjetor të
vitit 1530 në një nga familjet më të njohura fisnike të vendit. Këtu kishte filluar
të merrte edhe mësimet e para, nga mësuesit më të njohur të kohës, të ftuar në shtëpinë
e tij. Më pas Bernardini ndoqi akademinë modeneze, qendër kulturore nga më të shquarat
në Itali. Pasi studioi filozofi e mjekësi, 26 vjeç u diplomua në drejtësi civile e
kanonike. Hyri kështu në rrugën e shërbimit publik, ku nisi menjëherë të bëjë
karrierë. Por kjo rrugë, në të cilën po ecte me çapin e sigurtë të njeriut me përgatitje
kulturore të gjithanshme, u ndërpre papritmas. Duke hequr dorë nga kënaqësitë e botës,
nga rruga e suksesit, nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si jurist
i shquar, Bernardini hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua meshtar
e u bë menjëherë mësues i novicëve jezuitë. Shtatë vjet më vonë krijoi në Leçe
një kolegj, të cilit iu kushtua deri në vdekje, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë
e qytetit jugor italian. Prandaj Bernardini, i shpallur shenjt nga Papa Piu XII
në vitin 1947, ndonëse nuk është leçez, e as puliez, mbeti Pajtor i Leçes.