2012-07-02 17:54:45

Kosovë: në shtator fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë


Grupi Ndërkombëtar Drejtues në takimin e mbajtur në Vjenë ka vendosur që në shtator t’i japë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Nikoqiri i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger tha se kjo paraqet një ditë të madhe dhe historike për Kosovën. Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator, tha ministri austriak. Në anën tjetër, shefi i ICO-së, Piter Feith deklaroi se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit. Ndërsa lavdëroi përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri, Feith inkurajoi institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore - kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendor. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai theksoi se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar. "Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre”, është shpreh Thaçi. Sipas vendimit të kësaj dite të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, Kosova ka zbatuar me sukses obligimet e marra më Pakon e presidentit Ahtisari, por tani i mbetet që t’i bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese që t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare. Megjithatë, edhe me vendosjen e fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit - EULEX, përderisa do të vazhdojë edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.







All the contents on this site are copyrighted ©.