2012-07-02 17:38:02

Kenia: myslimanët dënojnë atentatet kundër Kishave.


Bashkësia e krishterë e Afrikës vazhdon të jetë në shënjestër të dhunës terroriste të grupeve të ndryshme me prejardhje fundamentaliste islamike, të cilët muajve të fundit kanë nxjerr në pah strategjinë e sulmeve të tyre kundër Kishave. Grupet fundamentaliste islamike i konsiderojnë Kishat e krishtera si simbole të Perëndimit dhe keqpërdorin fenë për qëllime subversive. Pas masakrave të fundit që ndodhën në Nigeri, përgjegjësinë e të cilave e mori mbi vete Boko Haram, këtë të diele u përgjak Kenia nga dy atentate fundamentaliste kundër dy Kishave në qytetin verior Garissam, afër kufirit me Somalinë. Sulmet terroriste i atribuohen grupit islamik Al Shabaab, që nxit kryengritjen në Somali. Është fjala për një grup fanatik islamik, që numëron 3-4 mijë njerëz. E sipas analistëve dhe ekspertëve, atentatet janë pasojë e ndërhyrjes së Kenias në territorin e Somalisë kundër terroristëve.
Pas dënimit të masakrës kundër të krishterëve nga Vatikani e nga Bashkësia Ndërkombëtare, edhe Këshilli suprem i myslimanëve në Kenia i ka dënuar atentatet e së dielës, që goditen dy Kisha të krishtera në qytetin veri-lindor të Garisas, duke nënvizuar se “të gjitha vendet e kultit duhet të respektohen” e duke shpreh ngushëllimet familjarëve të 20 viktimave të këtyre atentateve. “Jemi të trishtuar – tha presidenti i Këshillit suprem të myslimanëve, Abdulghafur El-Busidy – që ende nuk janë bërë arrestime” për vepër të shëmtuar.
Siç përmendem më parë, atentatet kanë marrë në shënjestër Kishën katolike dhe një tjetër Kishë të kongregatës Africa Inland Indipendent Church. Sipas rindërtimit të ngjarjes bërë nga policia, të dielën rreth orës 10.30 ndërsa po kremtohej Mesha, shtatë sulmues kanë hedhë armë shpërthyese e shtie me armë zjarri brenda dhe jashtë vendeve të kultit. Përgjegjësit e shërbimeve të ndihmës së shpejt thanë se të plagosurit janë më shumë se 40 vetë.
Deri më tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtyre atentateve, por sipas policisë lokale, parapa këtyre sulmeve është grupi i armatosur islamik al Shabaab, kundër të cilit ushtria keniane ka nisur një ofensivë ushtarake në jug të Somalisë. E banuar me pjesën më të madhe të popullsisë me prejardhje somale e me fe myslimane, qyteti Garissa shpesh herë është përdorur si bazë për sulme përtej kufirit që nga tetori. Edhe misionarët që u dëgjuan nga agjencia Misna në Najrobi, janë të mendimit që prapa këtyre atentateve është pikërisht grupi fanatik Al Shabaab. Sipas atë Joachim Omolo, përgjegjës i organizatës ndërfetare People for Peace in Africa, atentatet kundër Kishave në Garissa, janë pasojë e sulmeve keniane në Somali e jo, në asnjë mënyrë, shenjë e një marrëdhënie konflikti ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. “Masakra e së dielës nuk ka asgjë të bëjë me konfliktin ndërfetar – pohoi atë Joachim – por është një pasojë e ofensivës ushtarake ndërmarr kundër Al Shabaab në jug të Somalisë: kanë qenë vetë rebelët që prej kohësh kërcënoheshin me atentate kundër objektivave civile në Kenia”. Në nivelin ndërkombëtar njëri ndër të parët që dënoi atentatet e së dielës qe Presidenti i SHBA-së, Barack Obama. Uashingtoni është ndër mbështetësit e parë të ofensivës së Najrobit në Somali kundër grupeve terroriste.







All the contents on this site are copyrighted ©.