2012-07-02 11:55:29

Jo vështrimit horizontal e materialist të jetës: kështu pohoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, e bëri thirrje të kujdesemi për sëmurët me “vëmendje të zemrës”


Jezusi ka ardhur për të shëruar zemrën e njeriut, për të dhuruar shpëtimin dhe prej nesh kërkon besimin në Të”. Kështu tha Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje në Vatikan, duke komentuar tregimin ungjillor të kësaj së diele të shën Markut, që flet për shërimin e dy grave nga ana e Jezusit, duke nënvizuar se “Jezu Krishti ka ardhur për ta liruar njeriun në tërësinë e tij”, trup e Shpirt. E Papa kujtoi në mënyrë të veçantë ata që i ndihmojnë të sëmurët në bartjen e Kryqit, të cilët i quajti “ burim dashurie”. Në vazhdim Ati i Shenjtë Ratcinger bëri thirrje që në “stinën e pushimit të merituar” të verës të përfitojmë nga rasti e t’i kushtojmë më shumë vëmendje Zotit e të afërmit.
“Një ftesë për të tejkaluar vizionin thjeshtë horizontal e materialist të jetës”. Kjo sipas Papës Benediktit XVI është domethënia e tregimit ungjillor të kësaj së diele që kaloi, që na rrëfen për shërimin që Jezu u bëri dy grave të sëmura. Jezusi – kujtoi Papa – “përkulet mbi vuajtjen njerëzore dhe e shëron trupin” por nuk duhet të harrojmë – nënvizoi ai – se “shërimi fizik është ngushtë i lidhur me shërimin akoma më të thellë, me atë që hiri i Zotit i dhuron njeriu që para Tij e hap zemrën me fe”.
“Ne i kërkojmë Zotit kaq shumë shërime për probleme, për nevoja konkrete, dhe këtë e bëjmë më të drejtë, mirëpo atë që duhet t’i kërkojmë më me insistim është dhurata e fesë, dhurata e një feje përherë e më të fort, të patundur, në mënyrë që Zoti ta përtërin jetën tonë, e një besim të bindur në dashurinë e tij, në provaninë e tij që të mos na braktisë”.
E pastaj Papa kujtoi ata njerëz, të cilët i quajti “burim dashurie”: “të gjithë njerëzit – shpjegoi Papa – që i ndihmojnë të sëmurit të bartin kryqin e tyre në vuajtje, posaçërisht mjekët, punëtorët e shëndetësisë e ata që sigurojnë asistencën shpirtërore nëpër spitale e shtëpi të ndryshme shëndetësore”. Këta njerëz – tha Papa Benedikti – “atyre që vuajnë në trup e në shpirt u sjellin qetësi e shpresë”
“Para se gjithash kërkohet kompetenca profesionale – ajo është një nevoja e parë themelore – por e vetëm kjo nuk mjafton”, sepse kemi të bëjmë me njerëz – pohoi Papa – që për veten e tyre kërkojnë “humanitet e përkujdesje të zemrës”.
Benedikti Xvi duke vlerësuar punën profesionale të personelit mjekësor e në përgjithësi atij shëndetësor, kujtoi se krahas përgatitjes specifike në shkencën e mjekësisë, kur është fjala për një shërbim që i bëhet njerëzve, lypet edhe aspekti njerëzor, krahas profesionit të lartë lypet pra edhe një sjellje e përzemërt me pacientët e njerëzit që vuajnë.
“Këta punëtorë kanë nevojë edhe, e sidomos, për “formim të zemrës”: lypet t’i çojmë në takim me Zotin, në Krishtin, që në ta të nxisë dashurinë dhe atyre t’u hapë shpirtin e tjetrit” (n.31).
Prandaj lutja drejtuar Virgjërës Mari që ta “shoqërojë udhën tonë të fesë dhe angazhimin tonë të dashurisë konkrete posaçërisht ndaj atij njeriu që gjendet në nevojë e në vuajtje”.
Pas lutjes mariane, Papa përshëndeti në gjuhë të ndryshme besimtarët e shtegtarët e pranishëm në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Vatikan dhe të gjithë ata që e ndiqnin përmes radio televizionin e internetit.
Në gjuhën franceze ftesa e Papës të “dimë t’i përkushtojmë pak më tepër kohë Zotit gjatë periudhës së pushimeve”, e atyre që vuajnë t’u sigurojmë “përdëllimin” e “mirësinë” tonë.
Në gjuhën angleze inkurajimi që nga tregimi ungjillor i shërimit të Jezusit ta pranojmë “ftesën për t’u rritur e përforcuar në fe”.
Në gjuhën spanjolle e portugeze Papa nënvizoi sërish fjalët e Jezusit nga ungjilli i së dielës: “Mos keni frikë”.
Në gjuhën polake, foli për “stinën e pushimit të merituar” me urimin që pushimi “të jetë vërtet rast për t’i kushtuar më tepër kohë e më tepër vëmendje Zotit dhe njerëzve, rast për të thelluar vlerën e jetës shpirtërore përmes lutjes, leximit, e kontaktit me natyrën si dhe momenteve të prehjes ”.
Në gjuhën italiane Papa uroi të gjithëve një “të diele të mirë e një muaj korrik të qetë”, dhe “pushime të mira”.







All the contents on this site are copyrighted ©.