2012-06-30 19:14:00

Shenjtorët e Javës


E diel, 1 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 13-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 1 korrik kalendari kujton edhe shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Më 1 korrik, Kisha Katolike i fton besimtarët të luten për shenjtërimin e meshtarëve.
Të hënën, më 2 korrik, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Bernardinin e shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit. Këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.
Të martën më 3 korrik, sipas kalendarit përkujtohet shën Toma Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Këtë ditë bie edhe përkujtimi i shën Leonit papë.
Të mërkurën më 4 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Elizabetën (Izabelën) së Portugalisë. Liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.

Të enjten më 5 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Ndoun Maria Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Shën Anton Maria Zakariae na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!
Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.

Të premten më 6 korrik bie kujtimi i shën Maria Goretit, virgjër e martire, i Papëve të shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe i së shën Marisë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i liturgjisë së ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë në mënyrë shkandulluese larg nga mëshira hyjnore.

Të shtunën më 7 korrik do të përkujtohet shën Asti ipeshkëv i Durrësit dhe shën Benedikti XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.

Të dielën e ardhshme më 8 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 8 korrik kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të shën Palit, dhe i lumi Eugjeni III papë. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.







All the contents on this site are copyrighted ©.