Kalendari kishtar më 1 korrik, përkujton shën Aronin, vëllain i Mosiut e shën Esterin,
mbretëreshë Shën Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë
të Biblës, që njihen me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe
i vetmi burim biografik për këtë shenjt. Vëlla një gjaku me Moisiun, Aroni qe bashkëpunëtor
i ngushtë i kryetarit karizmatik, që Zoti ia pati dërguar popullit të tij, skllav
në Egjipt, për ta udhëhequr drejt tokës së premtuar. Hyji e lartoi Aronin, njëlloj
si vëllain e tij, Moisiun, me të cilin lidhi besën e përhershme dhe i shuguroi të
dy me vajin e shenjtë, si priftërinj për popullin e zgjedhur. Njeri i brishtë e mëkatar
si të gjithë njerëzit tjerë të vdekshëm, Aroni megjithatë mbetet model i bashkëpunimit
me Hyjin për realizimin e planit të tij të dashurisë për të mirën e njerëzimit.
Shën
Ester është mbretëreshë shenjte. E është pikërisht heroina judaike, që i dha emrin
njërit prej librave të Biblës: “Libri i Ester”. Martiriologët e lashtë latinë e kremtojnë
festën e Esterit më 1 korrik, ndërsa të krishterët koptë e vendosin të kremten e “mbretëreshës
së Persianëve” më datën 20 dhjetor. Në Kishat e traditës bizantine Ester kremtohet
së bashku me Etërit e Besëlidhjes së Vjetër. Ndër kremtime jo përkujtohet me këto
fjalë: “Përkujtimi i së drejtës Ester, që e çliroi popullin e Izraelit nga vdekja”. E
famshme është lutja e saj drejtuar Zotit për ta siguruar këtë shpëtim: “Ma dëgjo
mua uratën, që jam qyqe vetëm e që nuk kam tjetër mbrojtës, përveç Teje, o Zot, sepse
vetveten po e vë në rrezik...vëre në gojën time fjalën e përshtatshme....na çliro
nga dora e armiqve tanë, shndërroje vajin tonë në gëzim, dhimbjen tonë, në shëndet.
Ata që sulmojnë trashëgimin tënd, o Hyj, ndëshkoi në mënyrë shembullore. Duku, o Zot,
dëftohu!”.